Në Procedurën e Prokurimit Publik të hapur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për Loti 2: “Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë”, me numër reference REF-82309-04-16-2026, ngrihen hije të forta dyshimi për një garë të paracaktuar dhe me fitues të paracaktuar.

Fondi limit i përcaktuar për këtë procedurë ishte 99,351,968.95 lekë të reja pa TVSH. Në garë kanë marrë pjesë katër operatorë ekonomikë, ku diferenca mes ofertave dhe vendimi për skualifikimin e ofertës më të lirë ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi barazinë në garë:
-
Bashkimi i Operatorëve “Pastrime Silvio” shpk & “RADA OIL INDUSTRY” shpk ka paraqitur ofertën më të ulët ekonomike prej 77,546,126 lekë të reje pa TVSH. Megjithatë, kjo ofertë është skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke i hapur rrugën kompanive me oferta shumë më të larta.
-
Fituesi “FUSHA” shpk, në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Fusha, është shpallur fitues me një vlerë prej 97,906,939 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.2 MLN euro me TVSH.
Diferenca mes ofertës së skualifikuar dhe ofertës fituese është mbi 20 milionë lekë ose rreth 200 mijë euro, një shumë e konsiderueshme që do t’i kursente buxhetit të shtetit nëse gara do të ishte reale.

Dyshimet për një tender të paracaktuar përforcohen kur shikohen edhe ofertat e dy operatorëve të tjerë në garë:
-
“REJ” shpk me ofertën 98,540,492.92 lekë.
-
“ALKO IMPEX CONSTRUCTION” shpk me ofertën 99,333,431.89 lekë.
Të gjitha kompanitë e mbetura në garë kanë ofertuar shifra shumë të afërta me fondin limit prej 99.3 milionë lekësh. Oferta fituese e kompanisë “FUSHA” shpk është në nivelin e 98.5% të fondit limit, një praktikë që shpesh në prokurimet publike sinjalizon mungesë të konkurrencës reale dhe përkujdesje për të çuar fondet publike afër maksimumit të mundshëm te fituesi i paracaktuar.
