Futbollisti feston golin por bie në tunel, VAR ia anulon direkt

Futbollisti feston golin por bie në tunel,…

Një incident i pazakontë dhe i dhimbshëm ka ndodhur në elitën e futbollit brazilian, pasi mbrojtësi i Coritiba-s, Jacy, përfundoi në një tunel gjatë festimit të një goli.

Ngjarja ndodhi të shtunën, në sfidën mes Coritiba-s dhe Chapecoense. Pasi topi përfundoi në rrjetë, Jacy besoi se kishte shënuar dhe se skuadra e tij kishte kaluar në avantazhin 2-0 në pjesën e parë.

I entuziazmuar, mbrojtësi vrapoi drejt tabelave reklamuese dhe i kapërceu ato për të festuar. Por, menjëherë pas barrierës, ai ra drejt e në një tunel që ishte hapur në përgatitje për pushimin e pjesës së parë dhe që të çonte drejt dhomave të zhveshjes.

Një pjesëtar i sigurisë u afrua menjëherë për të kontrolluar gjendjen e futbollistit, ndërsa edhe shokët e skuadrës shikonin nga ana tjetër e barrierës për t’u siguruar se Jacy ishte mirë.

Mbrojtësi u nxor me shpejtësi nga tuneli dhe mori trajtimin e nevojshëm. Ai arriti të rikthehej në fushë, por qëndroi vetëm rreth dy minuta, përpara se të zëvendësohej për shkak të pasojave të rënies.

Dhe sikur rënia të mos mjaftonte, situata u bë edhe më zhgënjyese për Jacy-n. Goli për të cilin ai po festonte u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, pasi u vlerësua se ishte shënuar në pozicion jashtë loje.

Megjithatë, Coritiba arriti të marrë fitoren në fund, duke mposhtur Chapecoense me rezultatin 2-1.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit