Shqipëria ka shënuar një bilanc pozitiv të shtesës natyrore gjatë tremujorit te tretë të vitit 2025, megjithëse numri i lindjeve vijon të jetë në rënie. Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë se në këtë periudhë vendi regjistroi 6 408 lindje dhe 5 061 vdekje, duke dhënë një shtesë natyrore prej +1 347 personash.
Sipas raportit, lindjet ranë me 1,2% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, ndërsa vdekjet pësuan një rënie shumë më të fortë, me 11,6% më pak se një vit më parë.
Kjo rënie e vdekjeve ka ndikuar që bilanci natyror të jetë pozitiv, pavarësisht se trendi i përgjithshëm i lindjeve vazhdon të jetë në zbritje.
Tirana mban peshën kryesore të rritjes natyrore, me 1 238 lindje më shumë se vdekje, duke mbetur qarku me dinamizmin më të lartë demografik në vend. Në krahun tjetër, Korça shënon bilancin më negativ, me 216 vdekje më shumë se lindje.
Siç mund të kupohet, ndonëse rezultati i këtij tremujori është pozitiv, rënia e vazhdueshme e lindjeve mbetet një shqetësim madhor, i cili në afatgjatë mund të ndikojë në tkurrjen e popullsisë dhe në strukturën e gjatë të forcës së punës në Shqipëri. Tirana rritet dhe gjallërohet, ndërsa periferia e vendit po zbrazet dhe po plaket me ritëm të frikshëm.
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë një tablo të ndarë në dy Shqipëri: një kryeqytet energjik që po thith popullsi dhe lindje, dhe një pjesë tjetër të vendit që humbet banorë dhe shkon drejt plakjes së pandalshme.
Kryeqyteti vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta për shkak të punësimit dhe arsimit, shërbimet dhe migracioni i brendshëm e kanë kthyer Tiranën në epiqendrën e demografisë së vendit. Ndërkohë periferia po zbrazet dhe po plaket.
Qytetet më të vogla, sidomos ato në juglindje si Korça, por edhe Dibra, Kukësi, Berati e Gjirokastra, përballen me më shumë vdekje se lindje, një sinjal i qartë se popullsia është e moshuar dhe në tkurrje.
Edhe pse tremujori i tretë i 2025 sjell një shtesë natyrore pozitive, kjo është një iluzion i përkohshëm, pasi vjen nga ulja e vdekjeve. Lindjet vazhdojnë të bien, dhe ky është problemi më i madh demografik i vendit.
Kjo e konfirmon atë që ekspertët e kanë paralajmëruar. Shqipëria po plaket më shpejt sesa po rritet.


