
Ka nisur hapja e gropave për ndërtim në një nga hapësirat e gjelbra përballë fushave tek Liqeni Artificial.
Siç shihet nga pamjet e siguruara për JOQ, makineritë e rënda dhe kamionët kanë filluar gërmimet në terren, duke sjellë shqetësim mes qytetarëve që e frekuentojnë zonën për t’u shkëputur nga rrëmuja e qytetit.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet për natyrën e ndërhyrjes, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për ndikimin që kjo ndërhyrje mund të ketë në ambient dhe aksesin publik në këtë hapësirë të gjelbër.
Qytetarët kërkojnë transparencë për projektin dhe respektimin e të drejtës së komunitetit për të ruajtur hapësirat publike dhe natyrore të qytetit.