
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri një tjetër thirrje urgjente për një armëpushim humanitar në Gazë, duke thënë se ajo po shndërrohet në një “varrezë” për qindra fëmijë palestinezë në ditë, pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit që nuk solli ndonjë rezultat.
“Rruga përpara është e qartë,” u tha ai gazetarëve në Kombet e Bashkuara. “Një armëpushim humanitar. Tani.”
Ai tha se të gjitha palët duhet gjithashtu të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe se asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin.
Guterres shtoi më tej se respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar nënkupton gjithashtu mbrojtjen e civilëve, spitaleve, objekteve të OKB-së, strehat humanitare dhe shkollat në Gaza, si edhe rritjen e sasive të ndihmave dhe karburantit në territorin e rrethuar.
Guterres deklaroi se “makthi në Gaza” nuk është vetëm një krizë humanitare, por një “krizë e njerëzimit” dhe tha se palët në konflikt, si dhe komuniteti ndërkombëtar, kanë një përgjegjësi themelore për të ndalur vuajtjet.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se nuk do të ketë pauza humanitare pa u kthyer të gjitha pengjet,
Të hënën, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se numri i të vdekurve palestinezë në territor kishte arritur në 10,000 që kur Izraeli filloi sulmet, në kundërpërgjigje të sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor