‘Gazeta Atdheu’ nis një rrugëtim të ri, do të vijmë te ndjekësit si TVA NEWS

 ‘Gazeta Atdheu’ nis një rrugëtim të ri,…

‘Gazeta Atdheu’ ka qenë një nga kanalet e pavarura të informimit për publikun prej shumë vitesh. Misioni për t’i shërbyer atdheut, Shqipërisë dhe shqiptarëve, nisi që nga viti 2012 dhe vijoi me të njëjtën dëshirë si nga dita e parë. Në fokus kemi pasur trajtimin e informacioneve, lajmeve, në mënyrë të paanshme, pa ngjyrime politike dhe pa shkelur në kallo padrejtësisht askënd.

E në një treg mediatik të zhvilluar e me një sistem teknologjik që premton shumë, ‘Gazeta Atdheu’ ka vendosur që të rritet. Një grup të rinjsh që dikur e nisën këtë mision me dëshirë dhe pasion, sot janë profesionistë të fjalës së lirë dhe tejçimit të zërit të atyre që nuk janë dëgjuar kurrë më parë. Misioni nuk mbyllet këtu, por përforcohet duke u kthyer në një televizion. TVA NEWS do të jetë vijimësia e ‘Gazeta Atdheu’, për të sjellë tashmë me zë dhe me figurë çështjet që prekin shqiptarët.

Çdo ditë ndeshemi me vështirësi institucionale, me abuzime në punësim, me korrupsion, me varfëri dhe keqtrajtim. Shqiptarëve u është marrë pasuria, prona publike dhe private, u është marrë mundësia, por për asnjë moment nuk u është marrë dinjiteti, talenti dhe forca e tyre për të ecur përpara me gjëra që i frymëzojnë.

Nuk do të sjellim tek ndjekësit tanë vetëm probleme por do të mbështesim edhe të rinjtë e talentuar, profesionistët në një fushë të caktuar që nuk gjejnë përkrahje, si dhe ata që duan të largohen nga vendi pasi nuk kanë gjetur promovimin e duhur. Pra do të jemi këtu, sipas nevojave të shqiptarëve. Ndaj të takon ty të na ndjekësh, të raportosh apo ndihmosh me situata të ndryshme, ose të bëhesh pjesë e punës sonë të përditshme./Redaksia TVANews/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit