Të dhjetëra mijëra të rinj dolën në rrugët e Gjermanisë të shtunën, më 31 tetor, në protestat e organizuara nga lëvizja “Gen Z regelt”, e cila kërkon më shumë investime në arsim, lehtësim të kostos së jetesës dhe kundërshton shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Demonstratat u zhvilluan në 34 qytete, mes tyre Berlini, Frankfurti dhe Mynihu. Megjithatë, ndërsa pjesa më e madhe e protestave nisi në mënyrë paqësore, situata në disa qytete degjeneroi në përplasje dhe akte dhune.
Tensionet më të forta u regjistruan në Frankfurt, ku persona të maskuar sulmuan dhe dëmtuan disa biznese. Të paktën dy dyqane u grabitën, ndërsa vitrinat e disa të tjerëve u thyen.
Policia deklaroi se në qendër të qytetit po vijonin trazirat dhe se ndaj forcave të emergjencës po hidheshin edhe kokteje Molotov. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të shmangnin zonën e qendrës, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të rikthyer kontrollin.
Incidente u raportuan edhe në qytete të tjera. Në Hamburg u dogjën barrikada, ndërsa autoritetet gjermane kishin paralajmëruar më herët për mundësinë që grupet ekstremiste të përpiqeshin të shfrytëzonin protestat e të rinjve.
Lëvizja “Gen Z regelt” është pjesë e valës së protestave të të rinjve që gjatë këtij viti kanë përfshirë disa vende të Evropës, ku pakënaqësia për arsimin, koston e jetesës, strehimin dhe politikat qeveritare ka nxjerrë mijëra persona në rrugë. Në Gjermani, protesta që nisi me kërkesa sociale dhe ekonomike, në disa zona përfundoi mes flakëve, përplasjeve dhe grabitjeve.