
Gentian Qevanaj, një shqiptar që prej vitesh jeton në Kinë, ka ndërmarrë një aventurë të jashtëzakonshme dhe të guximshme duke udhëtuar me biçikletë nga Kina në Vlorë, vendin e tij të origjinës.
Genti u nis në datën 30 qershor nga Kina dhe kaloi nëpër disa shtete, përfshirë Uzbekistanin, Taxhikistanin, Kyrgystanin, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Turqinë dhe Greqinë. Ai mbërriti në Shqipëri përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Botës më 4 gusht dhe arriti në Vlorë më 5 gusht.
“Udhëtimi zgjati 5 javë. Ka qenë pak i vështirë për shkak të diellit, erës dhe maloreve. Unë u nisa pa i thënë askujt, vetëm disa shokëve. Jam krenar dhe më ngroh zemrën t’i shoh vlonjatët kaq afër. Një eksperiencë e vështirë, por tani më bën krenar. Ia dedikoj familjes time që në fillim nuk më besonin. Vlora nuk është vetëm një vend për bregdet, por edhe një vend për aventura si këto,” tha Qevanaj.
Genti është një aventurier i pasionuar pas sporteve dhe ngjitjes në mal. Ai u prit në Vlorë nga familjarët me duartrokitje dhe brohorima. Edhe pse nëna e tij i kërkon shpesh të mos ndërmarrë sfida të tilla, Genti ka deklaruar se kjo nuk do të jetë aventura e fundit për të.
Ai planifikon të qëndrojë dy javë në Shqipëri dhe më pas do të kthehet në Kinë me avion.