Gëzim Taullaj 66 vjeç ,me profesion mjek imazherist në detyrë pranë spitalit rajonal të Fierit, është arrestuar së fundmi nga policia e rrethit Fier.
Hetimi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbi veprimtarinë e tij të jashtëligjshme ka zgjatur rreth katër muaj.
Ai dyshohet se merrte para nga pacientët për të kryer ekokardiograma dhe ekografi, duke shpërdoruar detyrën e tij zyrtare dhe vizituar pacientë gjatë orarit të punës në dy klinika private në qytet.
Gjatë kontrollit në banesën e Taullajt, policia ka sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash, përfshirë 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë, si dhe shumën që kishte marrë nga një pacient në flagrancë. Veprimet e tij rëndohen nga akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Tashmë materialet procedurale dhe provat e sekuestruara i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme ligjore. Hetimi dhe arrestimi vijnë si rezultat i bashkëpunimit mes Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Prokurorisë Fier, pas administrimit të menjëhershëm të informacionit për veprimtarinë e dyshuar të mjekut.