
Sot është 2 maj, por ne sapo po “festojmë” 1 Majin, sepse dje nuk na e lejoi kapitalizmi të shkruanim këtë artikull. Shefi donte raportin, klienti donte ofertën, kompania kishte “fluks”, dhe ti, punëtori model, ishe në vendin e punës. Me orar të plotë. Me buzëqeshje të detyruar.
Dje ishte 1 Maji – dita kur në vende normale, punëtorët protestojnë, kujtojnë të drejtat e tyre. Në Shqipëri? 1 Maji ishte dita kur punëtori zgjodhi të punojë më fort, për të mos humbur vendin ku nuk vlerësohet.
Dje ishte 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Një ditë për të “festuar” dinjitetin e punës, të drejtën për pushim, pagë të drejtë dhe kushte njerëzore. Por në Shqipëri, kjo ditë “festohet” më mirë në zyrat e pronarëve, që sot ndoshta janë në ndonjë SPA në Dubai, ndërsa punëtorët e tyre janë në turnin e dytë a të tretë, pa pagesë ekstra.
Sepse në Shqipëri, e drejta për pushim në ditët zyrtare është luks. Disa punonjës nuk marrin as urim për 1 Maj, marrin vetëm listën e detyrave. Në vend të një dite pushimi, marrin një “thirrje urgjente” në orën 08:00 të mëngjesit nga shefi: “Duhet të jesh në zyrë, është ditë normale pune për ne”.
Pushimi vjetor? Ligji thotë katër javë, por realiteti njeh një apo dy. E për ata që e çojnë guximin deri në fund dhe kërkojnë më shumë, përgjigjja është e thjeshtë: “Nëse s’të pëlqen, dera është e hapur. Ka plot që presin të vijnë në vendin tënd”.
Punë shtesë pa pagesë? Standard. Punohet deri në orën 19:00, por paga llogaritet për 8 orë. Shefi mund të të thotë: “Këto janë sakrifica për rritje profesionale” – që në përkthim do të thotë: “Rritu nga brenda, se rrogën s’ta rrisim”.
Dhe të mos harrojmë të shtunat, ditë zyrtarisht pushimi, por praktikisht një ditë pune falas, me arsyetime krijuese si “jemi në sezon”, “është fluks” apo “kemi objektiva për të arritur”.
Punëtorët shqiptarë janë shumëfunksionalë: një punonjës bën punën e recepsionistit, arkëtarit, pastruesit dhe shoferit, por paguhet si praktikant. Dhe në fund të muajit, dëgjojnë fjalinë më të shenjtë të çdo pronari shqiptar: “Këtë muaj ishim pak dobët, ndaj të kemi hequr një pjesë të bonusit.”
Prandaj: Gëzuar 1 Majin, o skllevër të buzëqeshur! Qofshi të bekuar me pagë minimale, me dy javë pushim në vit dhe me një shef që të thotë “jemi si familje” – ndërkohë që të trajton si shërbëtor me kontratë fiktive!/M. Gjini/JOQ