
Tensionet po rriten në qytetin jugor italian të Foria di Centola, pas vrasjes së 26-vjeçarit shqiptar Rivaldo Rusi, gjatë një përpjekjeje për grabitje në vilën e biznesmenit italian Aurelio Valiante.
Ngjarja tragjike ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ndezur reagime të forta, përfshirë edhe thirrje për hakmarrje në rrjetet sociale nga familjarë dhe të afërm të viktimës.
Sipas mediave italiane, vila e Valiante është vënë përsëri në shënjestër gjatë natës, pavarësisht se ai dhe familja e tij janë larguar në një vend të mbrojtur për arsye sigurie. Policia italiane ka forcuar praninë në zonë për të shmangur përshkallëzimin e dhunës.
Aurelio Valiante, i cili akuzohet për vrasje, fshehje të kufomës dhe përdorim të armës së zjarrit, është vënë nën hetim, ndërsa në regjistrin e të dyshuarve është përfshirë edhe vëllai i tij, 58 vjeç, për ndihmë në fshehjen e trupit të viktimës në një vaskë vere që më pas u braktis në pyje.
Ndërkohë, një tjetër shqiptar, Xhuijan Curti, 28 vjeç, që dyshohet si bashkëpunëtor në vjedhje, ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin “Cardarelli” në Napoli. Personi i tretë i përfshirë në grabitje vazhdon të jetë i zhdukur.
Autoritetet janë në gjendje alarmi për shkak të mesazheve kërcënuese që po qarkullojnë në internet, ku familjarë të viktimës kërkojnë “larje gjaku” dhe paralajmërojnë për hakmarrje.
Autopsia e trupit të Rivaldo Rusit është planifikuar të kryhet nesër në mëngjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë intensivisht.