Një gjykatë kineze ka dhënë vendimin më të rëndë ndaj një prej familjeve më famëkeqe mafioze në Myanmar, duke dënuar me vdekje 11 anëtarë të familjes Ming, të përfshirë në trafik droge, prostitucion, bixhoz të paligjshëm dhe mashtrime online në shkallë globale.
Sipas BBC, gjithsej 39 anëtarë të familjes u shpallën fajtorë. Ata që i shpëtuan dënimit me vdekje, morën burgime të gjata. Gjykata bëri të ditur se që nga viti 2015, familja kishte gjeneruar mbi 12 miliardë euro nga aktivitetet kriminale.
Familja Ming ishte ndër katër organizatat mafioze më të fuqishme të Myanmarit, e cila vepronte nga qyteti Laukai, pranë kufirit me Kinën. Ata drejtonin qendra të mëdha mashtrimi, kazino të paligjshme dhe rrjete prostitucioni, duke trafikuar edhe drogë dhe punëtorë.
Hetimet zbuluan se shumë prej punëtorëve ishin të huaj – mbi 100 mijë persona, kryesisht kinezë – të cilët jetonin si të burgosur dhe detyroheshin të punonin me orë të gjata në mashtrime online që synonin viktima në të gjithë botën.
Gjykata kineze tha se anëtarët e familjes Ming ishin përgjegjës edhe për vrasjen e disa punëtorëve, në përpjekje për të penguar arratisjen e tyre drejt Kinës. Patriarku i familjes, Ming Xueshang, thuhet se kreu vetëvrasje përpara se të dorëzohej tek autoritetet.
Fillimisht të ngritura për të përfituar nga kërkesa për bixhoz në zonat ku ai është i paligjshëm, këto qendra u kthyen në burim të madh pastrimi parash, trafikimi dhe shfrytëzimi njerëzor. Ato janë bërë një prej motorëve kryesorë të krimit të organizuar në rajon, duke prodhuar pasuri marramendëse dhe dhunë çnjerëzore.
Ky rast konsiderohet një nga goditjet më të mëdha të autoriteteve kineze ndaj mafieve ndërkombëtare në vitet e fundit.