Krimi i organizuar në Gjermani po paraqitet si një kërcënim në rritje sipas një raporti vjetor të prezantuar në Berlin. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 683 procedura hetimore, numri më i lartë që nga viti 2021. Numri i të dyshuarve u rrit me më shumë se 13 për qind, duke arritur nivelin më të lartë në pesë vjet. Nga 7.988 të dyshuar, 2.722 ishin shtetas gjermanë, 664 turq, 402 sirianë, 281 shqiptarë dhe 258 polakë.
Drejtuesi i autoritetit federal të kriminalistikës vlerësoi se krimi i organizuar po kalon një transformim të thellë. Rrjetet kriminale po veprojnë gjithnjë e më shumë në mënyrë digjitale, ndërkombëtare dhe me role të ndara qartë. Rreth 69 për qind e hetimeve kishin përmasa ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e rasteve lidhej me narkotikët, të ndjekura nga krimet ekonomike, shkeljet tatimore e doganore, kontrabanda e njerëzve, krimet kundër pronës dhe pastrimi i parave.
Bandat kriminale po përdorin gjithnjë e më shpesh dhunë ekstreme për të frikësuar viktimat dhe për të forcuar pushtetin ndaj grupeve rivale. Në 31 procedura hetimore fokusi kryesor ishte kriminaliteti i dhunshëm. Raporti përmend si shembull një seri shpërthimesh dhe të shtënash në rajonin e Këlnit, që lidhen me vjedhjen e një ngarkese droge. Gjithashtu është rritur përdorimi i të miturve të rekrutuar, ndonjëherë fëmijë 13-vjeçarë, për të kryer akte dhune me porosi, shpesh pa u takuar kurrë porositësi dhe ekzekutuesi.