Gjermani lindore, autoritetet strehim gati falas për të parandaluar shpopullimin

Gjermani lindore, autoritetet strehim gati falas për…

Në Gjermaninë lindore, shumë qytete po përballen me një rënie të vazhdueshme të popullsisë. Për ta përballuar këtë sfidë, disa prej tyre kanë nisur nisma për të tërhequr banorë të rinj, duke ofruar banesa me qira të ulët. Një shembull është qyteti Guben, pranë kufirit me Poloninë, ku ofrohet një program “banimi provues”, që u jep të interesuarve mundësinë të jetojnë për një muaj me një çmim simbolik, vetëm 100 euro në javë. Anika Franze, një 38-vjeçare nga Berlini Lindor, u zhvendos në Guben përmes këtij programi dhe tani drejton vetë projektin. Ajo thekson se jeta në qytet është më e qetë, me më pak stres dhe kosto më të ulët se në kryeqytet.

Guben ka përjetuar një ndryshim të madh pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990. Industria e dikurshme tekstile dhe ajo e prodhimit të kapeleve u zhduk, të rinjtë emigruan drejt perëndimit dhe numri i lindjeve ra ndjeshëm. Sot, qyteti ka rreth 16,600 banorë, pothuajse gjysma e atyre që kishte para 30 vitesh. Mosha mesatare është rritur ndjeshëm, duke arritur në 58 vjeç, dhe parashikimet flasin për një vazhdim të kësaj rënieje në të ardhmen. Drejtuesit lokalë po përpiqen të ofrojnë jo vetëm kushte më të mira ekonomike, por edhe një ambient të hapur e mikpritës për banorët e rinj.

Pavarësisht përpjekjeve, sfidat janë të mëdha. Programi i banimit të përkohshëm në Guben ka tërhequr aplikantë jo vetëm nga Gjermania dhe vendet fqinje, por edhe nga vende të largëta si Algjeria, Egjipti dhe Brazili. Megjithatë, një numër i madh emigrantësh raportojnë pasiguri dhe zhgënjim për shkak të atmosferës politike dhe shoqërore. Gjermania Lindore shpesh shihet si një zonë me prani të theksuar të ekstremizmit të djathtë, dhe kjo ndikon në vendimet e njerëzve për të qëndruar apo për t’u larguar. Në Guben, për shembull, në zgjedhjet e fundit, rreth 39% e banorëve votuan për partinë e djathtë AfD, gjë që përforcon imazhin e vështirë të rajonit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit