Gjermani/ Masakër në sallën e Dëshmitarëve të Jehovait, tetë të vrarë

Gjermani/ Masakër në sallën e Dëshmitarëve të…

Tetë të vrarë dhe tetë të plagosur është bilanci i një masakre të ndodhur në lagjen Gross Borstel, disa kilometra në veri të Hamburg, Gjermani, në një sallë të Dëshmitarëve të Jehovait. Mes viktimave është edhe autori i sulmit, i cili vrau veten. 

Policia zbuloi se në fillim të këtij viti mori një letër anonime në lidhje me autorin, i identifikuar nga policia si Philip F., që vuante nga çrregullime mendore, por nuk ia konfiskuan armën e zjarrit që e kishte të ligjshme, raporton Euronews.

Për këtë ngjarje ka reaguar kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili tha: “Ne jemi të shtangur përballë kësaj dhune. Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre në këto orë të vështira. Ne vajtojmë për ata që ikën padrejtësisht nga jeta.”

Sulmuesi 35-vjeçar ishte një ish-anëtar i Dëshmitarëve të Jehovait. Zyrtarët thonë se ata ende po kërkojnë një motiv, por bënë të ditur se nuk po e trajtojnë incidentin si një sulm terrorist. Pas të shtënave, prokuroria urdhëroi një kontroll në banesën e të armatosurit, ku policia gjeti 15 karikatorë dhe 200 plumba.

Në sallën ku ndodhi sulmi, policia gjeti 20 karikatorë të tjerë në çantën e shpinës së të armatosurit. Çdo karikator thuhet se mbante 15 plumba. Pranë trupit të tij u gjetën edhe 9 karikatorë bosh. 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit