
Gjykata Rajonale e Berlinit nuk pranoi transkriptet e EncroChat si prova, duke konsideruar përgjimet të paligjshme dhe të papranueshme
Gjykata Rajonale e Berlinit ka dalë me një vendim historik që vendos në pikëpyetje përdorimin e transkripteve të bisedave të përgjuara nga platformat e komunikimit të enkriptuar, si EncroChat. Në një çështje të ndërlidhur me trafik droge, ku të pandehurit ishin akuzuar përmes mesazheve të siguruara nga autoritetet franceze, gjykata ka rrëzuar provat si të papranueshme dhe ka shpallur pafajësinë për 17 akuza.
Vendimi i shpallur më 19 dhjetor 2024 në çështjen 525 KLs 8/22, bazohet në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të 30 prillit 2024, duke reflektuar qëndrime të reja mbi mënyrën sesi janë mbledhur dhe përdorur provat në proceset penale. Sipas gjykatës, të dhënat e siguruara nga përgjimet e EncroChat nuk përmbushin kriteret e ligjshmërisë, transparencës dhe proporcionalitetit.
Gjykata vuri në dukje se provat ishin marrë pa respektuar direktivat evropiane, si Neni 31 dhe Neni 6(1)(b) të Direktivës për Urdhrin Evropian të Hetimit, dhe pa zbatuar kushtet e domosdoshme për respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve. Madje, u evidentua edhe mungesa e transparencës nga ana e autoriteteve franceze, e cila e cenon rëndë vlerësimin e saktë të provave.
Në një analizë të detajuar të rrethanave procedurale dhe teknike, Gjykata e Berlinit arriti në përfundimin se vetë përdorimi i një pajisjeje të sigurt komunikimi, si EncroChat, nuk mund të jetë arsye për të ngritur dyshime penale. Kjo sepse, veç kriminelëve, platforma të tilla përdoren edhe nga gazetarë, aktivistë dhe profesionistë që kërkojnë privatësi legjitime në komunikim.
Gjykata ka përforcuar parimin se bashkëpunimi evropian nuk mund të anashkalojë ligjet proceduriale kombëtare. Në këtë rast, ajo ka theksuar se një përgjim i tillë nuk do të ishte i lejueshëm sipas Kodit të Procedurës Penale të Gjermanisë, ndaj të dhënat e marra nga autoritetet franceze nuk mund të përdoren në një proces penal në Gjermani.
Vendimi i Gjykatës së Berlinit është i rëndësishëm edhe për gjykatat shqiptare, pasi hedh dritë mbi kufizimet ligjore dhe etike në përdorimin e provave të mbledhura nga përgjime të platformave të enkriptuara. Në rastin konkret, ai përforcon kërkesën për një vlerësim më të kujdesshëm të burimit dhe mënyrës së përftimit të provave.
Për më tepër, ky vendim dërgon një mesazh të qartë: përgjimet masive nuk mund të shërbejnë si bazë e vetme për ngritjen e akuzave penale. Nëse nuk përmbushen standardet e ligjit dhe të drejtave të njeriut, ato janë të papranueshme në një gjykim të ndershëm dhe të drejtë.