Pavarësisht përdorimit të gjerë të telefonave inteligjentë dhe rrjeteve sociale, të rinjtë shqiptarë mbeten ndër më pak të përgatiturit në Europë për aftësitë digjitale që kërkohen në tregun e punës dhe në shërbimet online. Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm 61.2% e të rinjve shqiptarë të moshës 16-24 vjeç kanë të paktën aftësi bazë digjitale, një nivel dukshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej rreth 75%.
Në rajon, Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, ku aftësi bazë digjitale kanë vetëm 44.5% e të rinjve. Mali i Zi regjistron 62.4%, Bosnjë-Hercegovina 70.8%, ndërsa Serbia kryeson Ballkanin Perëndimor me 77.1%, duke kaluar edhe mesataren e BE-së. Ekspertët theksojnë se përdorimi i rrjeteve sociale nuk do të thotë domosdoshmërisht se të rinjtë dinë të përdorin teknologjinë për arsim, punësim apo shërbime publike online.
Në Bashkimin Europian, vendet me rezultatet më të larta janë Danimarka me 92.1%, Çekia me 91.7% dhe Malta me 91.5%, ndërsa në fund renditen Rumania me 53.3% dhe Bullgaria me 52.8%. Matja e Eurostat përfshin aftësi si kërkimi i informacionit online, komunikimi në internet, krijimi i përmbajtjeve digjitale, siguria në rrjet dhe zgjidhja e problemeve teknologjike. Të dhënat tregojnë gjithashtu se vajzat e reja në Europë kanë rezultate pak më të mira, me 75.9% kundrejt 73.3% të djemve të së njëjtës moshë.