‘Gjithë jeta në luftë’: Ish-zyrtari afgan rrëfen arratisjen nga talebanët

‘Gjithë jeta në luftë’: Ish-zyrtari afgan rrëfen…

Një ish-zyrtar i lartë i administratës së rrëzuar të Afganistanit, i strehuar në Qytetin Studenti, tregon se kur talebanët morën Kabulin, e vetmja mundësi ishte largimi nga vendi përmes një udhëtimi rraskapitës drejt Tiranës me destinacion final Shtetet e Bashkuara.

Ahmad* dhe familja e tij përjetuan një udhëtim rraskapitës dhe katër netë pa gjumë nga largimi prej shtëpisë së tyre në Kabul e deri në çastin kur avioni preku aeroportin e Tiranës, mesnatën e së premtes.

Burri rreth të 45-ave, zyrtar i lartë i administratës së rrëzuar afgane, i tha BIRN se kishin rezistuar për 62 orë në radhë të gjata, jashtë dhe brenda aeroportit, përpara se ai, bashkëshortja dhe dy fëmijët ta ndjenin veten të sigurtë.

“Nuk kisha kaluar ndonjëherë situatë kaq të vështirë, që të prisnim 62 orë për një udhëtim pa një përfundim të qartë,” tha Ahmad të shtunën, në një prej kafene të Qytetit Studenti.

“Por më në fund ia dolëm që të vinim këtu në Shqipëri dhe tani ndjehem i lumtur dhe optimist për qëndrimin e shkurtër këtu, derisa të mbërrijmë në Shtetet e Bashkuara,” shtoi ai.

I veshur me xhinse dhe një këmishë të bardhë, Ahmad thotë se e ka kaluar ‘gjithë jetën në luftë në Afganistan’, por nuk e mendonte largimin dhe ishte i kënaqur me punën e tij.  Kur gjithçka kolapsoi dhe qytetin e morën talebanët, ai nuk pa asnjë mundësi përveçse të linte pjesën tjetër të familjes dhe Afganistanin.

Prej mëngjesit të së premtes, në Shqipëri kanë mbërritur 257 refugjatë afganë, aleatë të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve anëtare të NATO-s. Kontigjenti i parë u vendos në dy hotele në Durrës, ndërsa pjesa tjetër prej 154 vetësh u strehuan në dy godina të Qytetit Studenti.

Mesditën e së shtunës, një perimetër sigurie pengonte hyrjen në godina, përveçse për punonjësit e sigurisë dhe stafet që po menaxhojnë situatën. Megjithatë, refugjatët afganë lëvizin lirisht në grupe të vogla në rrugët e Qytetit Studenti, ndërsa shkojnë të regjistrohen në postën e policisë apo shoqërohen për t’u ushqyer në mensë.

Pjesa më e madhe e tyre përshëndesin me mirësjellje, ndërsa një prej tyre vendos dorën mbi zemër. Të tjerë kërkojnë që të mos identifikohen dhe fotografohen, të shqetësuar për familjarët që kanë lënë pas në shtëpi.

Nga komunikimet që BIRN pati me disa prej tyre, mësoi se të mbërriturit gjatë natës së fundit janë punonjës të qeverisë dhe pjesëtarë të shoqërive civile, së bashku me familjarët dhe fëmijët e tyre.

Mirënjohës për mikpritjen e Shqipërisë, ata presin të nisen sa më shpejt drejt destinacionit të tyre final në Shtetet e Bashkuara.

‘Kabuli po rrëzohet, shko në shtëpi’

Shumë prej afganëve të strehuar në Shqipëri janë ende të shokuar nga kolapsi i shpejtë i qeverisë dhe i përpjekjeve të tyre për ndërtimin e një shteti demokratik në Afganistan. Të tjerë janë të shqetësuar për sigurinë e familjarëve të tyre, por edhe për të ardhmen e popullit afgan.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit