“Gjithmonë mendoj se jam më i miri, këtë vit synoj Topin e Artë"

“Gjithmonë mendoj se jam më i miri,…

Kylian Mbappé nuk e fsheh më ambicien e tij të madhe: sulmuesi francez beson se ky mund të jetë momenti i duhur për të fituar për herë të parë në karrierë Topin e Artë.

Ylli i Real Madridit e konsideron veten mes kandidatëve kryesorë për çmimin më prestigjioz individual në futboll, ndonëse pranon se fjala e fundit u takon gazetarëve që marrin pjesë në votim.

27-vjeçari vjen pas një sezoni me shifra mbresëlënëse në aspektin personal. Mbappé realizoi 42 gola në 44 ndeshje me Real Madridin, megjithëse skuadra madrilene nuk arriti të fitojë asnjë trofe.

Duke folur për mundësinë e triumfit, francezi u shpreh se fakti që luan për Real Madridin e vendos natyrshëm në qendër të diskutimeve për Topin e Artë.

“Kur luan për Real Madridin, klubin më të mirë në botë, njerëzit të lidhin me këtë çmim. Ka shumë njerëz që flasin për mua dhe Topin e Artë. Ndoshta ky është një vit i mirë për këtë, por njerëzit votojnë sipas asaj që mendojnë”, u shpreh Mbappé.

Por deklarata e tij më e fortë erdhi kur u pyet se ku e vendos veten mes futbollistëve më të mirë në botë. Mbappé nuk tregoi aspak modesti.

“Unë gjithmonë mendoj se jam më i miri, por secili ka mendimin e tij. Ndoshta njerëzit mendojnë ndryshe. Nuk mendoj se është një diskutim që duhet ta bëjmë.”

Në fund, sulmuesi i Real Madridit e bëri edhe më të qartë objektivin e tij të madh individual:

“Sigurisht që ky vit mund të jetë i mirë për mua për të fituar Topin e Artë. Por votojnë gazetarët.”

Tashmë, Mbappé nuk e fsheh më: Topi i Artë është një nga objektivat e tij kryesorë dhe francezi beson se ka ardhur momenti për të marrë në duar çmimin që i mungon në koleksionin personal.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit