Një listë e publikuar rreth 1 vit më parë mbi pagat e drejtuesve të organizatave jo-qeveritare në Shqipëri ka nxitur diskutime të shumta në mjedisin mediatik dhe publik. Në krye të këtyre përfitimeve qëndron emri i aktivistes së shoqërisë civile, Delina Fico, e cila rezulton të ketë përfituar rreth 1 milion dollarë vetëm si pagë nga fondet e agjencisë amerikane USAID për angazhimin e saj në Reformën në Drejtësi.
Të dhënat zyrtare të deklaruara nga vetë Fico tregojnë se ajo ka arkëtuar një pagë mesatare prej 100 mijë dollarësh në vit. Prej të paktën 10 vitesh, ajo mban postin e Drejtueses për Programet e Shoqërisë Civile në organizatën “East-West Management Institute” (EWMI), e cila u kontraktua nga USAID-i për të mbështetur zbatimin e reformës gjyqësore në vend.
Lidhjet me Sorosin dhe kontrata 9-milionëshe
Organizata EWMI, e cila ka lidhje të ngushta me Fondacionin “Shoqëria e Hapur” të miliarderit George Soros, siguroi në vitin 2016 një kontratë prej 9 milionë dollarësh nga USAID-i për ecurinë e reformës. Rreth 10% e të gjithë këtij fondi ka shkuar vetëm për pagën e zonjës Fico.
Roli i këtij projekti është marrë në shqyrtim edhe nga revista kërkimore amerikane “Judicial Watch”, e cila ka publikuar dokumente mbi rolin e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe ish-ambasadorit Donald Lu në lehtësimin e dhënies së kësaj kontrate për EWMI-n.
Sipas raportimeve të “Judicial Watch”, fondet e USAID-it u shpërndanë përmes projektit të shoqërisë civile për të mbështetur struktura të lidhura me Fondacionin “Shoqëria e Hapur”, me qëllim përkrahjen e fushatës “Drejtësia për të gjithë”, një iniciativë që u kontestua nga kritikët për krijimin e hapësirave të kontrollit politik mbi sistemin e ri të drejtësisë.
Përveç pagës kryesore si drejtuese projekti në EWMI, të dhënat tregojnë se Delina Fico ka realizuar të ardhura shtesë me vlerë mijëra dollarë duke punuar si eksperte e jashtme në organizata të tjera jo-qeveritare.
Këto pagesa dytësore janë përfituar nga shoqata si Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Partners Albania for Change and Development dhe Partners for Democratic Change, organizata këto që marrin financime nga i njëjti rrjet partnerësh dhe që përfshihen në listën e OJQ-ve me financimet dhe pagat më të larta në Shqipëri.