Gjuetari qëllon aksidentalisht veten kur sulmohet nga ariu i murrmë në park

Gjuetari qëllon aksidentalisht veten kur sulmohet nga…

Një gjuetar ka qëlluar aksidentalisht veten në këmbë teksa luftonte një ari që e sulmoi në Wyoming, SHBA — në ngjarjen e dytë të këtij lloji brenda një jave, thanë zyrtarët.

65 vjeçari Lee Francis, kishte dalë për gjueti me të birin në parkun kombëtar Grand Teton të premten, kur kafsha e sulmoi, kishte deklaruar ai për sherifin e Sublette.

Francis kishte arritur të qëllonte disa herë me pushkën e tij për të trembur ariun, por një nga plumbat e kishte kapur në këmbën e poshtme.

I biri i Francis kishte bërë një telefonatë satelitore për të kërkuar ndihmë, dhe më pas kishte ndihmuar të atin për t’u ngjitur në një kalë teksa iu drejtuan liqenit aty pranë, ku do të takonin grupet e shpëtimit.

Francis u dërgua më pas me helikopter në spitalin Universitar të Utah për trajtim. Nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Zyrtarët e botës së egër thanë se nuk e kanë lokalizuar ariun që sulmoi gjuetarin por thanë se prej kushteve të dëborës, do të rinisin sot kërkimin.

Në foto të llogarisë së Francis në Facebook shihet që ai është një gjuetar entuziast, që ka vrarë më parë arinj, drerë e kafshë të tjera.

Sulmi i të premtes vjen një javë pasi një tjetër ari sulmoi dy studentë të akademisë Northwest College në Wyoming

Brady Lowry e Kendell Cummings kishin dalë në pyll për të kërkuar brij drerësh më 15 tetor kur u sulmuan nga ariu.

Kafsha kishte sulmuar fillimisht Lowry, duke i thyer një krah e duke i shkaktuar plagë të tjera.

Cummings ulërinte për të trembur ariun dhe lëshonte gurë, para se ta tërhiqte nga veshi për të ndaluar sulmin, sipas dëshmisë së tij. Por ariu më pas ktheu tërbimin e tij ndaj Cummings, duke e sulmuar dy herë.

Cummings kreu disa orë operacione për plagët në kokë e gjymtyrë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit