Gjykata dënon me 54 milion lekë Spitalin Amerikan, dëmtoi këmbën e pacientit në operacion

Gjykata dënon me 54 milion lekë Spitalin…

Në prill 2017, Sokol H. dëmtohet në gjurin e majtë, ndërkohë që po luante futboll me miqtë e tij.

Ai drejtohet tek Spitali Amerikan për të marrë një mendim më të specializuar për situatën e tij shëndetësore.

Në konsultën e kryer nga mjekët e spitalit privat në Tiranë, atij i sugjerohet që duhet të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale, pasi rezultonte se Sokol H. kishte këputur tendinën.

Në të njëjtën ditë, në 5 Prill 2017, Sokol H. i nënshtrohet ndërhyrjes dhe, pasi është siguruar nga mjekët se ndërhyrja është përfunduar me sukses, ai largohet nga spitali pas dy ditësh.

Pak ditë pasi ka dalë nga spitali, atij i janë shfaqur probleme të rënda në këmbë dhe është paraqitur sërish në Spitalin Amerikan, në datë 24 Prill 2017.

Mjekët e kanë futur sërish në sallë, duke i bërë një ndërhyrje tjetër kirurgjikale. Edhe pas ndërhyrjes së dytë, gjendja shëndetësore e tij nuk është përmirësuar.

Nga analizat rezultoi se pacienti se pacienti Sokol H. kishte një infeksion post-operator në gjurin e majtë, të cilin e kishte marrë gjatë ndërhyrjes së parë kirurgjikale në Spitalin Amerikan.

Pacienti i nënshtrohet një ndërhyrje të tretë në gjurin e dëmtuar dhe më pas ka ndjekur një seri trajtimesh, të cilat gjithësesi nuk kanë sjellë rezultat të dukshëm.

Në këto kushte, Sokol H. i është drejtuar gjykatës së Tiranës, me padi kundër Spitalit Amerikan, duke kërkuar dëmshpërblim për pasojat e sjella, si rrjedhojë e pakujdesisë në sallën e operacionit.

Gjykata e Tiranës, në një vendim të muajit Shkurt 2020, e ka gjetur fajtor Spitalin Amerikan dhe ka vendosur që të dëmshpërblejë të dëmtuarin Sokol H. me rreth 5.4 milionë lekë të reja.

Në vendimin e siguruar nga “Boldnews.al”, gjykata konstaton ndër të tjera se: “Referuar të dhënave të kartelës së ndjekjes infermierore si dhe kartelës së pacientit, gjendja shëndetësore e këtij shtetasi, deri në momentin e daljes nga spitali datë 07.04.2017, ka qenë e mirë, ndërsa më pas është përkeqësuar me enjtje dhe dhimbje të gjurit të majtë”.

Sipas vendimit të gjykatës, “…referuar analizave laboratorike të kryera për periudhën kohore nga data 05.04.2017 deri në datë 05.11.2017, ecuria shëndetësore e paditësit nuk paraqitet e mirë, ato rezultojnë të jenë mbi kufijtë e normës, të cilat tregojnë për prezencën e një vatre infeksioni. Stafilokoku “Aureus” është një bakter i cili mund të gjendet kudo, në trup dhe në ambientet përreth”.

Referuar të dhënave të dokumentacionit mjekësor- konstaton gjykata – nuk rezulton që ky shtetas (Sokol HG.) të ketë qenë i prekur para ndërhyrjes kirurgjikale nga ky lloji bakteri.

Në përfundim, ekspertiza që ka ndihmuar gjykatën të dalë në një vendim në favor të pacientit, konstaton se dëmtimet në gjurin e pacientit “kanë shkaktuar humbjen e aftësisë së përhershme për punë në masën 25%”.

Referuar të dhënave shkencore, gjykata e Tiranës konstaton se “paditësit (Sokol H.) i është shkaktuar një dëm në shëndetin e tij, nga ndërhyrja kirurgjikale e realizuar pranë palës së paditur (Spitali Amerikan)”.

Burimi: Bold News

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit