Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë, pasi Gjykata e Apelit në Amiens ka rrëzuar sërish kërkesën e tij për lirim. Ndërkohë, autoritetet franceze po shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tij.
Sipas raportimeve të mediave franceze, vendimi për refuzimin e lirimit u mor të premten, më 23 tetor, kur Beqiri u paraqit sërish përpara gjykatës, tri ditë pas shqyrtimit të mëparshëm të kërkesës së tij për lirim.
Po gjatë së njëjtës ditë, Dhoma e Hetimit në Amiens shqyrtoi edhe kërkesën për ekstradim të paraqitur nga autoritetet shqiptare. Deri tani, nuk është bërë i ditur një vendim përfundimtar për dorëzimin e tij në Shqipëri.
Beqiri u arrestua në Francë në fund të korrikut, pasi kishte fluturuar me avionin e tij mbi centralin bërthamor të Penly. Ai kërkohet nga drejtësia shqiptare në kuadër të hetimeve që lidhen me kontratat publike dhe dosjen e AKSHI-t.
Biznesmeni do të qëndrojë në paraburgim ndërsa vijon procedura gjyqësore në Francë, në pritje të vendimit për kërkesën e ekstradimit drejt Shqipërisë.