Gjykata Supreme Federale e Brazilit i ka hapur rrugë ekstradimit të Ervin Matës drejt Shqipërisë, ku ai kërkohet nga SPAK në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesës së autoriteteve shqiptare në seancat e zhvilluara nga 14 deri më 21 gusht, duke pranuar kërkesën për ekstradimin e “Bolit” drejt vendit tonë.
Mata u arrestua më 25 prill 2026 nga Policia Federale braziliane në Ilhabela, në shtetin e São Paulo-s. Arrestimi u krye në zbatim të një urdhri të gjyqtarit të Gjykatës Supreme Federale, Alexandre de Moraes, pas kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij. Pas arrestimit, autoritetet braziliane bënë me dije se ai dyshohej se qëndronte në vend duke përdorur dokumente identifikimi britanike të falsifikuara.
Procedura e ekstradimit është kundërshtuar nga mbrojtja e Matës, e cila kishte kërkuar edhe lirimin e tij nga qelia. Avokatët pretenduan se Shqipëria nuk kishte respektuar afatet për formalizimin e kërkesës dhe ngritën pikëpyetje mbi juridiksionin për veprat penale për të cilat ai kërkohej.
Ervin Mata është në kërkim nga drejtësia shqiptare që prej nëntorit 2023 dhe është përfshirë nga SPAK në hetimet e operacionit “Metamorfoza”. Ai dyshohet për vepra penale që lidhen me trafikun e narkotikëve, grupin e strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.
Në dosjen hetimore përmenden disa episode të trafikut ndërkombëtar të drogës, me rreth 931 kilogramë lëndë narkotike të sekuestruara në vende të ndryshme.
Bëhet fjalë për 446 kilogramë kokainë të sekuestruara në Holandë më 5 janar 2021, 69 kilogramë kokainë të kapura në Brazil më 18 shkurt 2021, 166 kilogramë marijuanë të nisura nga Spanja drejt Gjermanisë, si dhe 250 kilogramë kokainë të nisura nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit.
Sipas SPAK, grupi i dyshuar kishte shtrirë aktivitetin në trafikun e kokainës nga vende të Amerikës së Jugut, përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Brazilin, drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në hetim kanë pasur rëndësi edhe komunikimet e zhvilluara përmes aplikacionit të koduar Sky ECC. Sipas të dhënave të dosjes të bëra publike më herët, komunikimet e administruara nga hetuesit e lidhin Matën me një episod që lidhet me transportimin e 250 kilogramëve kokainë nga Brazili drejt Frankfurtit.