Gjykata franceze lë në qeli Ermal Beqirin: Nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur

Gjykata franceze lë në qeli Ermal Beqirin:…

Drejtësia franceze ka vendosur të mbajë në paraburgim biznesmenin shqiptar Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve të SPAK për tenderat e AKSHI-t. Gjykata ka rrëzuar kërkesën e tij për lirimin, ndërsa në Francë vijon procedura për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij. Prokuroria franceze ka kundërshtuar lirimin, duke argumentuar se pasuria dhe mundësitë e tij për të udhëtuar, përfshirë licencën e pilotit, krijojnë rrezik largimi nga territori francez.

Gjatë seancës, Beqiri ka deklaruar se ka lidhje të forta me Francën, ku sipas tij ka mbërritur që në moshën 16-vjeçare. Ai ka pretenduar se nuk kishte arsye të fshihej dhe, me tone ironike, është shprehur se nëse do të kishte dashur të largohej, mund të kishte zgjedhur edhe vende të tjera. “Arrita në Francë në moshën 16 vjeç, kam familjen time të dytë këtu. Mund të kisha shkuar kudo, madje edhe në Dubai, por e dua Francën”, ka deklaruar ai.

Çështja e Beqirit në Francë lidhet edhe me një incident gjatë një fluturimi, për të cilin më 27 korrik ai pranoi se kishte gabuar në lartësinë e fluturimit, ndërsa po kalonte mbi një central dhe po fliste në telefon. Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me 7 mijë euro gjobë. Pavarësisht përfundimit të kësaj procedure, ai nuk është liruar nga burgu i Beauvais, për shkak të kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij. Në Shqipëri, Beqiri akuzohet për vepra që lidhen me mashtrimin dhe grupin e strukturuar kriminal, në kuadër të hetimeve për dyshime mbi manipulimin e procedurave të prokurimit të AKSHI-t. Tashmë, vendimi për fatin e tij do të lidhet edhe me ecurinë e procedurës së ekstradimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit