Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e Erion Veliajt ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, duke i dhënë fund përpjekjes së kryebashkiakut të Tiranës për të kundërshtuar veprimet e prokurorit në këtë proces.
Vendimi është bërë publik nga gjyqtari Hazbi Balliu, i cili ka arsyetuar se Veliaj nuk ka një interes të drejtpërdrejtë në çështje, por vetëm një interes të tërthortë, çka nuk mjafton për legjitimimin e tij në këtë proces gjyqësor.
Gjykata ka rrëzuar gjithashtu edhe kërkesat për ndërhyrje si palë në proces të paraqitura nga Asociacioni për Media dhe Drejtësi, si dhe nga ish-prokurori Tom Deda.
Vendimi i Gjykatës Administrative vjen në një kohë kur çështjet që lidhen me Erion Veliajn dhe hetimet e SPAK kanë qenë në qendër të vëmendjes publike, ndërsa palët vijojnë përplasjet ligjore në disa drejtime.
Sipas vendimit, pretendimet e ngritura nuk kanë gjetur mbështetje në kushtet procedurale për të vijuar shqyrtimin e padisë, duke bërë që kërkesa e Veliajt të rrëzohet nga trupa gjyqësore.