Gjykata italiane dënon me 100 vite burg pjestarët e "klanit" Çela

Gjykata italiane dënon me 100 vite burg…

Gjykata e Breshias ka dhënë vendimin për një prej proceseve më të rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke dënuar me 100 vite burg në total 15 anëtarë të klanit “Çela”, organizatë kriminale që dyshohet se kishte ngritur një rrjet të fuqishëm të shpërndarjes së kokainës në veri të Italisë.

Mes të dënuarve janë edhe Shkëlqim dhe Gerardo Pashja, vëllezër nga Elbasani, të cilët, pas gjykimit të shkurtuar, u dënuan me 29 vite burg gjithsej.

Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, organizata e lidhur me Suel Çelën kishte krijuar në Breshia një bazë logjistike për magazinimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës.

Në skemë ishin përfshirë edhe disa shtetas italianë. Simone Paolisso, Roberto Gottardi dhe Fabrizio Manza dyshohet se merreshin me transportin dhe magazinimin e drogës, ndërsa Marco Morandi shërbente si lidhje mes grupit dhe drejtuesve të organizatës.

Hetimet zbuluan se rrjeti furnizonte me kokainë zonat e Liqenit të Gardës, Veronës dhe Breshias. Një nga episodet kyçe u regjistrua në nëntor të vitit 2021, kur në Verona u sekuestruan 250 kilogramë kokainë e pastër, e destinuar për bazën e organizatës në Breshia.

Një rol vendimtar në hetim pati edhe zbërthimi i komunikimeve në platformën e koduar Sky ECC, përmes së cilës autoritetet italiane, në bashkëpunim me SPAK-un, arritën të rindërtonin aktivitetin e grupit kriminal.

Sipas dosjes hetimore, drejtuesit e klanit udhëtonin drejt Kolumbisë dhe Ekuadorit për të negociuar drejtpërdrejt me furnizuesit e kokainës, ndërsa lëviznin gjithashtu në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë Dubain.

Ngarkesat e kokainës mbërrinin fillimisht në portet e Belgjikës dhe Holandës, ku organizata kishte bashkëpunëtorë. Më pas ato transportoheshin me kamionë drejt magazinave të marra me qira në Breshia, nga ku shpërndaheshin tek grupe të tjera kriminale në qytete të ndryshme të veriut të Italisë.

Sipas hetimeve, droga kishte një vlerë prej rreth 40 mijë euro për kilogram në fazën e shpërndarjes me shumicë, ndërsa fitimet e përfituara transportoheshin drejt Shqipërisë me autobusët e linjës Breshia-Elbasan.

Në të njëjtin proces u dënua me 8 vite burg edhe Genti Berisha, i cili më 23 qershor përplasi për vdekje një efektiv policie në Milano gjatë tentativës për t’u larguar. Në dëshminë e tij para prokurorëve, Berisha deklaroi se nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, pasi në atë moment kishte lëndë narkotike, konkretisht hashash, në automjet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit