Gjykata Kushtetuese mblidhet sot, shqyrtohet kërkesa e partisë së Fatmir Mediut, për të zhvilluar tubime elektorale

Gjykata Kushtetuese mblidhet sot, shqyrtohet kërkesa e…

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen sot për të shqyrtuar një kërkesë të depozituar nga kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu.

Mediu me bërjen funksionale të kësaj gjykate, depozitoi kërkesë për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, që ndalon grumbullimet mbi 10 persona. Sipas republikanit, ky vendim penalizon partitë politike që të bëjnë tubime elektorale para zgjedhjeve.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të vendosin sot për këtë kërkesë të partisë së Fatmir Mediut, e cila do të shihet me interes dhe nga partitë e tjera, pasi ato e kanë cilësuar si të padrejtë vendimin për ndalimin e grumbullimeve dhe tubimeve elektorale.

Që prej këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, Policia nuk ka kursyer gjobat ndaj politikanëve, majtas dhe djathtas.

“Partia Republikane Shqiptare (kërkuesi), si parti politike e cila është aktualisht e angazhuar aktivisht në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 25 Prill 2021, si dhe partitë e tjera opozitare, dëmtohen rëndë nga akti objekt kërkese i cili ndalon specifikisht aktivitetin e këtyre partive dhe për pasojë vetë esencën e ekzistencën e tyre si parti politike.

Akti objekt kërkese pengon specifikisht, në mënyrë drastike, kërkuesindhe partitë opozitare në përmbushjen e rolit të tyre Kushtetues si parti politike; pra si një faktor qendror i formimit të vullnetit politik të zgjedhësve. Për pasojë, akti objekt kërkese bie ndesh me parimet, të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe në konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, ndaj si i tillë duhet të shfuqizohet”, thuhet në kërkesën e PR të depozituar në Gjykatën Kushtetuese.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit