Gjysma e përfituesve nuk e kanë marrë pagën ndihmëse 40 mijë lekë

Gjysma e përfituesve nuk e kanë marrë…

Janë më shumë se gjysma e  punonjësve në sektorin privat, të cilët nuk kanë përfituar ende ndihmën financiare prej 40 mijë lekë, e cila mundësohet nga paketa e dytë e qeverisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar të gjithë subjektet private që të kryejnë aplikimin në mënyrë që punonjësit e tyre të marrin pagën në këtë situatë të vështirë për shkak të pandemisë së Covid-19.

Tatimet thonë se janë në total 13.571 subjekte të cilët nuk kanë plotësuar kërkesën , ndërsa ka publikuar edhe listën me niptet identifikuese të tyre.

Vetë kryeministri Rama paralajmëroi në fillim të javës miratimin e një akti i cili do të vendoste gjoba për kompanitë që nuk do të aplikonin për marrjen e ndihmës për punonjësit, por me sa duket as kjo thirrje nuk ka funksionuar.

Deri tani kanë marrë ndihmë nga paketa e dytë afro 86 mijë punonjës, ndërsa në total qeveria parashikon që përfitues të jenë 176 mijë. Rreth gjysma e tyre nuk kanë marrë ende ndihmën, një pjesë për shkak të procesit të verifikimit e një pjesë tjetër për shkak se administratori i kompanisë nuk ka bërë aplikimin.

Nga paketa e zgjeruar përfitojnë të gjithë të punësuarit në biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milion lekë në vit pavarësisht nëse kanë qenë apo jo të mbyllur gjatë pandemisë, me përjashtim të industrisë ushqimore dhe farmaceutike, punonjësit e sektorit të turizmit, të pushuarit nga puna deri në datën 10 prill në bizneset e mëdha, dhe bizneset e mëdha të cilat janë mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. /Shekulli

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit