“Gjysma” e Shqipërisë në errësirë, nga veriu në jug qytetarët pa energji për orë të tëra: Ku është OSHEE?!

“Gjysma” e Shqipërisë në errësirë, nga veriu…

Energjia elektrike, një shërbim bazë për çdo familje, po kthehet në një problem të përsëritur për banorët e disa zonave të vendit. Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur raportime të shumta nga fshatra të ndryshëm, nga veriu në jug, ku qytetarët ankohen se po qëndrojnë pa drita për orë të tëra gjatë ditëve të fundit.

Një nga rastet më shqetësuese vjen nga zona e Cepos në Gjirokastër, ku banorët e rreth 10 fshatrave kanë denoncuar se energjia ndërpritet rreth orës 20:00 dhe rikthehet vetëm në orën 11:00 të paradites së ditës tjetër. Plot 15 orë në errësirë, një situatë që sipas tyre është përsëritur prej disa ditësh, pa marrë asnjë shpjegim.

Ndërprerje janë raportuar edhe në zona të tjera të vendit, ndërsa banorët kërkojnë të dinë se çfarë po ndodh me furnizimin me energji elektrike dhe kur do të marrë fund kjo situatë.

Është e papranueshme që në vitin 2026, familje të tëra të mos kenë siguri për një shërbim kaq jetik. Mungesa e energjisë nuk nënkupton thjesht mungesën e dritës në shtëpi. Ajo prek ngrohjen, gatimin, ruajtjen e ushqimeve, punën dhe jetën e përditshme, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat që kanë nevojë për pajisje elektrike.

OSHEE duhet të dalë nga heshtja dhe të japë shpjegime konkrete: Cilat janë arsyet e këtyre ndërprerjeve? Pse disa zona qëndrojnë pa energji për kaq shumë orë dhe çfarë masash po merren për të garantuar furnizim të qëndrueshëm?

Edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, duhet të japë përgjigje për këtë situatë. Qytetarët paguajnë faturat dhe kanë të drejtë të kërkojnë një shërbim normal, jo të kalojnë mbrëmjet dhe netët në errësirë.

Nuk mjaftojnë deklaratat për investime dhe përmirësime në sektorin energjetik, nëse në terren familjet vazhdojnë të mbeten pa drita për orë të tëra. Qytetarët nuk mund të trajtohen sikur energjia elektrike të ishte luks dhe jo një shërbim bazë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit