Goditet rrjeti i call center-ave, 50 milionë euro të zhdukura nga “investimet” false

Goditet rrjeti i call center-ave, 50 milionë…

Një rrjet i gjerë kriminal i përfshirë në mashtrime online është goditur në Shqipëri, pas një operacioni që zgjati mbi dy vite. Hetimet zbuluan një skemë të sofistikuar me bazë në Tiranë, që dyshohet se ka shkaktuar dëme prej të paktën 50 milionë eurosh, me viktima në disa shtete, përfshirë Italinë.

Si rezultat i aksionit janë arrestuar 10 persona, ndërsa gjatë kontrolleve në tre call center dhe nëntë banesa janë sekuestruar rreth 891 mijë euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera elektronike.

Sipas hetimeve, rrjeti operonte përmes call center-ave të organizuar në mënyrë profesionale, me role të ndara dhe hierarki të qartë. Viktimat joshesin përmes platformave të rreme të investimeve online dhe reklamave mashtruese, duke u premtuar fitime të larta.

Pas regjistrimit, atyre u caktoheshin “agjentë” që paraqiteshin si këshilltarë financiarë, të cilët mbanin kontakte të vazhdueshme dhe përdornin edhe programe të aksesit në distancë për të marrë kontroll mbi pajisjet e tyre. Përmes manipulimit dhe presionit psikologjik, viktimat bindeshin të transferonin shuma të mëdha parash.

Në realitet, paratë nuk investoheshin, por kanalizoheshin në një skemë të ndërlikuar pastrimi parash. Operatorët punonin në ekipe prej 6–8 personash dhe komunikonin në disa gjuhë, ndërsa struktura e rrjetit përfshinte deri në 450 persona. Ata paguheshin rreth 800 euro në muaj, plus komisione për çdo “kontratë”.

Viktimave u kërkohej të hapnin llogari në platforma kriptovalutash dhe të bënin një depozitë fillestare prej 500 eurosh, duke u shtyrë më pas të kryenin pagesa të tjera. Viktimat janë identifikuar në Itali, Gjermani, Greqi, Spanjë, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa hetimet vijojnë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit