"Golemit i ka dalë pronarja, na kërcënon po të afrohemi pranë vijës së parë"

“Golemit i ka dalë pronarja, na kërcënon…

Një tjetër shqetësim vjen nga plazhi publik në Golem, ku pushuesit denoncojnë zaptimin e hapësirës në breg të detit nga persona që vendosin shezlongë dhe çadra pa u shqetësuar për kufijtë e hapësirës publike.

Sipas denoncimit të një qytetari, një zonjë ka vendosur disa rreshta me çadra në vijën e parë të plazhit, rreth 20 copë, duke pretenduar se janë pronë e saj dhe duke u kërkuar pushuesve që të qëndrojnë vetëm pas tyre.

“Edhe plazhit publik në Golem i ka dalë pronarja. Ka vendosur dy rreshta me çadra në breg të detit dhe thotë: këto janë të miat, andej mbrapa bëni ç’të doni”, shkruan qytetari.

Sipas tij, çadrat në rreshtin e parë jepen me çmim 700 lekë të reja, ndërsa ato në rreshtin e dytë 500 lekë të reja. Situata, sipas denoncuesit, ka sjellë përplasje me pushuesit, pasi zonja pretendohet se u bërtet fëmijëve dhe konfliktohet me prindërit që kalojnë pranë hapësirës së zënë prej saj.

“Madje ka kërcënuar pushuesit duke u thënë se ka 100 meshkuj në fis”, vijon denoncimi.

Qytetari shton se gjatë ditëve të fundit janë shtuar edhe më shumë çadrat në këtë hapësirë, duke ngritur pikëpyetje mbi kontrollin e institucioneve për menaxhimin e plazheve publike.

Pushuesit kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për të verifikuar nëse kjo hapësirë është dhënë me leje apo nëse kemi të bëjmë me një tjetër rast të zaptimit të bregdetit, ku qytetarët përballen me barriera edhe në ato pak zona që duhet të mbeten publike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit