Teksa zjarret po bëhen gjithnjë e më shkatërruese në Evropën Jugore, një projekt i pazakontë në Spanjë po tërheq vëmendjen si një nga mënyrat më natyrale për të parandaluar përhapjen e flakëve. Në vend të makinerive apo teknologjisë së avancuar, në malet e Katalonjës po përdoren… gomarë.
Organizata jofitimprurëse Tivissa Donkey Firefighters, në jug të Katalonjës, rehabiliton gomarë të braktisur ose të keqtrajtuar dhe i vendos ata të kullosin në zonat më të rrezikuara nga zjarret.
Duke konsumuar barin e thatë dhe bimësinë që ndizet më lehtë gjatë verës, gomarët krijojnë korridore natyrore që ngadalësojnë përhapjen e flakëve dhe e bëjnë më të lehtë ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Projekti nisi në vitin 2020 nga Joan Cedó Sans, i cili fillimisht strehoi vetëm disa gomarë të shpëtuar. Sot, tufa numëron 62 gomarë, të cilët lëvizin në zona të ndryshme malore për të pastruar terrene publike dhe private.
Sipas Cedó, gjithçka nisi pasi ai vuri re se gomarët kishin pastruar plotësisht bimësinë përreth tokës së tij.
“Ata hëngrën gjithçka,” kujton ai.
Përveç rolit të tyre në parandalimin e zjarreve, projekti u jep një jetë të re kafshëve të shpëtuara. Mes tyre është edhe Roberto, një gomar që dikur përdorej në gara dhe ishte dërguar për therje pasi nuk fitonte më, si dhe Paloma, e cila u shpëtua pasi ishte mbipeshe nga ushqyerja me biskota dhe sheqer.
Ekspertët e ekologjisë shpjegojnë se gomarët janë veçanërisht efektivë, pasi konsumojnë pikërisht barin që thahet gjatë verës dhe shndërrohet në “karburantin” kryesor të zjarreve. Përveç kësaj, pesha e tyre shtyp dhe thyen shtresën e bimësisë së tharë, duke e bërë shumë më të vështirë përhapjen e flakëve.
Studiuesit theksojnë se kullotja nuk mund t’i ndalojë plotësisht zjarret, por mund të ulë ndjeshëm intensitetin e tyre dhe të krijojë kushte më të favorshme për ndërhyrjen e ekipeve zjarrfikëse.
Nevoja për zgjidhje të tilla është bërë gjithnjë e më urgjente. Vetëm gjatë vitit 2025, Bashkimi Evropian regjistroi sezonin më shkatërrues të zjarreve në histori, ndërsa Spanja humbi afro 1 milion hektarë sipërfaqe nga flakët.
Modele të ngjashme po zbatohen edhe në rajone të tjera. Në Kaliforni përdoren tufa dhish për pastrimin e kodrave, ndërsa në rajonin e Galicias në Spanjë po rikthehen kuajt e egër për të mbajtur nën kontroll bimësinë.
Megjithatë, sipas studiuesve, këto iniciativa do të mund të zgjerohen vetëm nëse shtetet i trajtojnë si një shërbim publik për mbrojtjen e mjedisit dhe i mbështesin financiarisht, njësoj si investimet në makineri apo infrastrukturë kundër zjarreve.
Për Joan Cedó, projekti nuk është thjesht një mënyrë për të parandaluar zjarret.
“Ne nuk po bëjmë asgjë që paraardhësit tanë nuk e bënin. Thjesht po rikthejmë vlerën e një mënyre jetese që gjithmonë ka bashkëjetuar me natyrën,” thotë ai.