Duket se protesta e tyre nuk ka të ndaluar, dhe se qeveria po bën një sy qorr e një vesh shurdh për problemet e tyre.
Për të disatën herë, banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë duke vijuar të kundërshtojnë projektin Thumanë-Kashar. Kërkesa e tyre drejt qeverisë është e thjeshtë; kërkojnë që banesat e tyre që do prishen për t’i hapur rrugë projektit, të vlerësohen me çmim tregu dhe jo sa ka premtuar qeveria, duke e konsideruar një çmim qesharak.
Të pranishëm në protestën e ditës së sotme, kanë qenë edhe shumë fëmijë, të cilët zgjodhën që të braktisin bankat e shkollës, për të mbështetur prindërit e tyre.
Edhe ditën e sotme, janë shënuar edhe incidentet e para të kësaj proteste.

Teksa kishte dalë për të protestuar, njëri prej banorëve u ndje keq dhe i ra të fikët. Bëhet fjalë për shtetasin Dashamir Voci, i cili humbi ndjenjat dhe u dërgua menjëherë drejt spitalit. Jo me ambulancë sicc duhet të ndodhë, por me një makinë policie të ndodhur aty pranë.
Mësohet se shtetasi Voci ndodhet në QSUT, teksa familjarët thonë se mjekët u kanë thënë që ka pësuar paralizë në njërën këmbë.