
Karabinierët italianë kanë goditur një bandë shqiptarësh të dyshuar për një seri vjedhjesh në rajonin Trentino, veçanërisht në zonën Val di Non.
Dy persona janë arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë për pjesëtarët e tjerë të grupit, të cilët dyshohet se kanë qenë aktivë për rreth një vit. Banda akuzohet për të paktën 24 raste vjedhjesh ose tentativash, përfshirë edhe një rast të vjedhjes së një automjeti.
Kriminelët kishin shënjestruar kryesisht shtëpi të izoluara në 11 komuna të rajonit, duke përfshirë Ville d’Anaunia, Predaia, Romeno, dhe të tjera. Nga 15 shtëpi të grabitura, ata vodhën para, bizhuteri ari dhe obligacione kursimi, me një vlerë totale që arrin deri në 100 mijë euro. Në tetë raste të tjera, grabitësit u detyruan të largoheshin pa marrë gjë për shkak të pranisë së njerëzve apo ndërhyrjes së shpejtë të policisë.
Policia italiane ka mbledhur si prova pamje filmike dhe gjurmë gishtash në vendet e ngjarjes. Automjeti i vjedhur, një fuoristradë, është përdorur nga banda si mjet transporti për të realizuar grabitjet.