Grabitje në muzeun e Mesinës, vidhen katër kryevepra të Antonello da Messina

Grabitje në muzeun e Mesinës, vidhen katër…

Një grabitje e rëndë arti ka ndodhur mbrëmjen e 15 gushtit në MuMe, Muzeun Rajonal Ndërdisiplinor të Mesinës, ku autorë ende të paidentifikuar kanë arritur të marrin disa prej veprave më të çmuara të mjeshtrit të Rilindjes, Antonello da Messina. Sipas drejtoreshës Marisa Mercurio, grabitja ka ndodhur rreth orës 21:50, ndërsa autorët kanë shmangur sistemet e alarmit dhe masat e sigurisë. Prej muzeut janë vjedhur tri nga pesë panelet e mbetura të Poliptikut të San Gregorio-s, si dhe një panel i vogël i pikturuar në të dyja anët, me Madonën në njërën faqe dhe Krishtin në tjetrën.

Mënyra e realizimit të grabitjes ka ngritur dyshime se bëhet fjalë për një operacion të mirëorganizuar. Një prej paneleve ndodhej brenda një vitrine të blinduar, por autorët arritën ta nxirrnin dhe ta largonin nga muzeu. Këshilltari për Kulturën në Messina, Enzo Caruso, e cilësoi ngjarjen si një grabitje “pothuajse si në filma”, duke theksuar se veprat janë panele druri dhe jo piktura në kanavacë, çka e bën transportin e tyre më të vështirë dhe ngre dyshime se grabitësit e dinin saktësisht se çfarë kërkonin. Policia dhe ekspertët e kriminalistikës kanë nisur hetimet, ndërsa muzeu është mbyllur për publikun.

Mes veprave të vjedhura ndodhet Poliptiku i San Gregorio-s, një prej punimeve më të rëndësishme të Antonello da Messina-s që ruhej në qytetin e tij të lindjes. Vepra ka një histori të ndërlikuar, pasi është dëmtuar nga një restaurim i pasuksesshëm në shekullin XIX dhe më pas nga tërmeti shkatërrues i Mesinës në vitin 1908. Vepra tjetër, paneli i vogël me dy faqe, ishte blerë nga Rajoni i Sicilisë në një ankand në vitin 2003. Autoritetet po punojnë për identifikimin e grabitësve dhe rikuperimin e veprave, të cilat konsiderohen me vlerë të paçmueshme për trashëgiminë artistike të Sicilisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit