"Gratë nuk marrin vesh po s'hëngrën dru!", arrestohet në Kosovë predikuesi

“Gratë nuk marrin vesh po s’hëngrën dru!”,…

Elvedin Peziq, hoxha nga Bosnjë-Hercegovina që u shoqërua pak ditë më parë në Prishtinë, mbart pas vetes një histori të gjatë deklaratash ekstremiste, që nga glorifikimi i dhunës familjare e deri te sulmet e hapura ndaj emancipimit të gruas.

Peziq, i cili kishte udhëtuar drejt Kosovës për të promovuar një libër dhe për të mbajtur disa aktivitete në rajonin e Pejës, Istogut dhe Dragashit bashkë me predikuesin Mithad Qeman, u ndalua për verifikim dhe intervistim informues.

Por kush fshihet pas profilit të këtij figure që nxit përçarje kudo që shfaqet?

I shkolluar në Arabinë Saudite dhe i lidhur me rrymën konservatore selefiste, Peziq prej vitesh ka ndërtuar një bazë të fuqishme ndjekësish online, mbi 300 mijë vetëm në Facebook. Ai shfrytëzon hapësirën digjitale për të dhënë “këshilla fetare”, për të interpretuar jetën shoqërore dhe për të përhapur qasjen e tij ultra-konservatore, e cila shpesh bie ndesh me vlerat e një shoqërie moderne dhe të hapur.

Kronika e skandaleve: “Gruaja duhet rrahur” dhe perëndimi i “rrënuar”

Nëse prezantimi i tij publik duket si i një predikuesi paqësor, qëndrimet e shprehura prej tij në vitet e fundit tregojnë të kundërtën.

Në një video të publikuar në shtator të vitit 2022, Peziq kaloi çdo vijë të kuqe duke arsyetuar dhunën fizike në familje. Ai deklaroi hapur se disa gra “nuk dinë të kuptojnë dhe të përmirësohen veçse po të rrihen”, duke e cilësuar dhunën si “metodën e tretë edukative” të lejuar për burrin, pas këshillimit dhe largimit nga shtrati.

Në vitin 2021, ai hodhi akuza se shoqëria perëndimore u shkatërrua moralisht në momentin kur “gruaja doli nga shtëpia” dhe vendosi të bëjë diçka tjetër përveçse të qëndrojë në rolin e nënës tradicionale.

Këto deklarata mesjetare kanë ngjallur reagime të forta edhe në vendlindjen e tij. Vetëm pak kohë më parë, Bashkësia Islame e Bosnjë-Hercegovinës u distancua hapur prej tij, duke deklaruar se pikëpamjet e Peziqit nuk kanë asnjë lidhje me mësimet e vërteta të fesë islame për dinjitetin, të drejtat dhe barazinë e grave.

Pavarësisht kritikave dhe përpjekjeve për t’i mbrojtur qëndrimet e tij përmes tezave se gjoja edhe mendimtarë perëndimorë kritikojnë familjen moderne, Peziq vazhdon të mbetet një figurë e polemizuar tashmë nën shënjestrën e autoriteteve edhe jashtë kufijve të Bosnjës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit