Greqi: Shqiptari sulmohet me thikë në banesën e tij, shpallet në kërkim një 17-vjeçar

Greqi: Shqiptari sulmohet me thikë në banesën…

Një 58-vjeçar me origjinë shqiptare është plagosur rëndë pas një sulmi me thikë brenda banesës së tij në Agia Galini, në zonën e Rethymnos, në ishullin e Kretës. Policia greke ka nisur kërkimet për një 17-vjeçar, i cili dyshohet si autor i sulmit.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës, ndërsa 58-vjeçari, që jeton me familjen e tij në këtë zonë, është goditur dy herë me thikë në bark. Rrethanat e sakta të sulmit dhe motivet që mund të kenë çuar në këtë ngjarje mbeten ende të paqarta.

Pas plagosjes, burri është dërguar fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Moires, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai është transportuar më pas me ambulancë drejt Spitalit të Përgjithshëm Universitar të Heraklionit (PAGNI), i shoqëruar nga një mjek, për trajtim të specializuar.

Sipas mediave greke, gjendja e tij është konsideruar kritike, ndërsa ai ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Ndërkohë, autoritetet policore po vijojnë kërkimet në zonën e Messarës dhe në jug të Rethymnos për të lokalizuar 17-vjeçarin e dyshuar. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit