Greqia "turpëron" Gjermaninë dhe merr kreun e grupit

Greqia “turpëron” Gjermaninë dhe merr kreun e…

Greqia shkakton surprizën e madhe në Hamburg, duke mposhtur Gjermaninë me rezultatin 1-0 në ndeshjen e Nations League. Skuadra helene u bë protagoniste e një mbrëmjeje dramatike, ndërsa heroi i fitores ishte Kourbelis, autor i golit vendimtar, dhe portieri Tzolakis, i cili me pritjet e tij mbajti të paprekur portën greke.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, 0-0, me Gjermaninë që edhe pse kontrolloi më shumë topin, nuk arriti të bindte në lojën e saj. Rastin e parë të rrezikshëm e pati Greqia me Karetsas, që provoi me një goditje nga distanca. Më pas, gjermanët morën kontrollin e lojës dhe rrezikuan me Adeyemin, i cili fillimisht dërgoi topin mbi traversë, ndërsa pak më vonë u ndal nga një ndërhyrje e Tzolakis pas një aksioni spektakolar.

Edhe në pjesën e dytë Gjermania u hodh menjëherë në sulm dhe iu afrua golit me Conte’, por sërish në skenë doli Tzolakis.

Kur pritej që presioni gjerman të sillte golin, ndodhi e kundërta. Në minutën e 73-të, Greqia goditi në momentin e duhur. Kourbelis shënoi golin e avantazhit 1-0, duke i ngrirë tifozët në Hamburg.

Gjermania kërkoi me çdo kusht barazimin dhe në minutën e 80-të iu afrua me Gnabry, por Tzolakis ishte sërish në vendin e duhur për të shpëtuar portën e tij.

Në minutat e fundit, Greqia u mbrojt me shumë sakrificë dhe arriti të ruajë avantazhin deri në vërshëllimën finale. 1-0 për grekët, që marrin fitoren e dytë në Nations League dhe ngjiten në krye të Grupit A2.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit