Matthew Wertz me shumë gjasa e kishte planifikuar për një kohë të gjatë vrasjen e gruas, dy qenve dhe vetes. Ky plan mund të ketë filluar që kur u shpërngul nga banesa e tij e mëparshme për të jetuar në një shtëpi private me qira në zonën pranë ish-stacionit të trenit.
Banorët e lagjes, të cilët nuk e njihnin mirë, e kujtojnë si mësuesin e shkollës private ‘Albanian College Tirana’, që së bashku me gruan dhe dy qentë e tij, hynte e dilte shpesh nga shtëpia, përshëndeste fqinjët dhe blinte 2-3 birra.
Në letrën e lamtumirës drejtuar babait të tij, për të cilën ekspertët nuk kanë dyshime se është shkruar nga ai, Matthew shprehet se gruaja dhe kafshët e tij ishin të dashurit e tij më të mëdhenj, të cilët vendosi t’i marrë me vete.
Në përfundim të mesazhit, ai shkruan: “Më falni për këtë akt ekstrem. Nuk munda të largohesha nga veset e mia dhe po marr me vete ata që dua më shumë. Paratë që kam në llogari do të përdoren për të shlyer borxhet,” dhe më pas vari veten pas derës së shtëpisë.
Hetuesit besojnë se kanë të bëjnë me një person që vuante nga depresioni i thellë. Si ish-alkoolist, Matthew mund ta ketë parë Shqipërinë si një mundësi për të shpëtuar nga veset e tij, ashtu siç përmend edhe në letrën e tij.
Me bashkëshorten e tij indoneziane, Saragih Sartika, 48 vjeç, kolegët në kolegj thonë se kishin një marrëdhënie të mirë. “Ajo ishte frymëzimi i tij, kujdeseshin për njëri-tjetrin,” ka treguar njëri prej tyre.
Megjithatë, kohët e fundit, Matthew, 55 vjeç, kishte filluar të izolohej dhe i ishte shprehur i shqetësuar partneres së tij. Ky shqetësim i kishte nxitur drejtorin e shkollës të njoftonte policinë kur vërejti mungesën e tij.