Gruaja që i vodhi viktimës së vrasjes fëmijën e palindur, përballet me dënim me vdekje në SHBA

Gruaja që i vodhi viktimës së vrasjes…

Prokurorët në Texas, SHBA, kanë kërkuar dënim me vdekje për një grua që vrau me thikë një grua shtatzënë dhe i vodhi bijën e saj të palindur nga mitra.

Kërkesa u bë në gjyqin ndaj Taylor Rene Parker që nisi dje, për vrasjen e Reagan Simmons-Hancock dhe vjedhjen e bebes së saj në 2020.

Prokurorja Kelley Crisp tha se 29-vjeçarja Parker hiqej sikur ishte shtatzënë me të njohurën e saj, 21-vjeçaren Simmons-Hancock teksa më pas e vrau në shtëpinë e saj në New Boston më 9 tetor të dy viteve më parë — me qëllim t’i merrte beben që ajo kishte në bark.

Avokati i mbrojtjes Jeff Harrelson tha se Parker ka probleme të shëndetit mendor.

Pak pas sulmit makabër Parker ishte ndaluar për shpejtësi të lartë nga policia dhe justifikohej se kishte lindur gjatë rrugës, por bebja nuk merrte frymë.

Hetuesit thanë në gjyq se vrasësja kishte ndjekur në internet shumë video të lindjeve të bebeve, duke përfshirë dhe lindje të parakohshme.

Avokatët e Parker thanë se shpresonin të shmangnin dënimin me vdekje duke kërkuar burgim të përjetshëm.

Avokati Jeff Harrelson tha se mund të dëshmonte se Parker është e sëmurë mendore prandaj duhet të hiqet akuza e pengmarrjes, me të cilën akuza mund të ndryshojë nga ‘vrasje në kushte të rënda’ në ‘vrasje’.

Ai u tha gjykatësve: “Nuk mund të quhet pengmarrje ku je me dikë që nuk ka lindur i gjallë.”

Por prokurorët thanë se ekspertët mjekësorë kishin konfirmuar se e sapolindura kishte rrahje zemre.

Gjyqi vazhdon.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit