Gruaja simbol e eksodit të Kosovës: UÇK-ja na ndihmoi të shpëtonim

Gruaja simbol e eksodit të Kosovës: UÇK-ja…

Sherife Luta, e cila u bë simbol i eksodit të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës, ka rrëfyer përjetimet e saj nga viti 1999 në një intervistë për “Review” në Euronews Albania. Në atë kohë, Luta ishte vetëm 22 vjeçe dhe kishte në krah vajzën e saj gjashtë muajshe, Besën. Ajo kujtoi largimin e detyruar nga fshati Ivaj më 8 mars, në drejtim të Kaçanikut, mes pasigurisë dhe përplasjeve me forcat serbe.

Sipas rrëfimit të saj, familja u ndihmua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe OSBE-ja për t’u larguar nga zona e luftimeve. Udhëtimi drejt sigurisë zgjati rreth 24 orë dhe gjatë rrugës familja u ndalua nga forcat serbe. Luta e përshkroi atë periudhë si një nga momentet më të vështira të jetës së saj, ndërsa kujtoi edhe fotografinë që e bëri të njohur së bashku me vajzën e saj, sot një dëshmi e asaj kohe.

Duke folur për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Luta tha se lajmi e ka rënduar emocionalisht, duke e lidhur atë me kujtimet e luftës dhe me rolin që, sipas saj, pati UÇK-ja gjatë asaj periudhe. “UÇK-ja është për mua ushtria që na ka ndihmuar shumë, e ka ndihmuar Kosovën dhe na ka sjellë lirinë”, u shpreh ajo. Sot, vajza e saj Besjana është e rritur dhe e njeh historinë e familjes, ndërsa Luta thotë se përjetimet e luftës mbeten të paharrueshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit