Grupet kriminale po “hanë koka” të pafajshme, kanë vrarë një jetim, një banakiere dhe një roje

Grupet kriminale po “hanë koka” të pafajshme,…

Përplasjet mes bandave kriminale po lënë viktima shqiptarët e ndershëm dhe punëtorë. Plumbat nuk po bien mbi hasmin, por mbi ata të cilët me rrogat minimale po mbajnë familjen. Shqiptarët nuk janë një popull i pasur. U duhet të punojnë dy turne dhe madje me pagesa që nuk e justifikojnë punën. E në këtë vështirësi të madhe financiare, “mangët” kanë edhe plumbat.

Pal Kola, roja 60-vjeçar që u vra mbrëmjen e së dielës, duhet të kishte një pleqëri më të gëzuar, pranë nipërve dhe mbesave. Në këtë moshë ai nuk duhet të punonte shumë dhe shteti duhet t’i siguronte atij një pension dhe mbështetje financiare të mjaftueshmë për të shijuar jetën si i moshuar. Mirëpo jeta e tij vlejti për t’i çuar një mesazh pronarve të medias. Njësoj si mafia italiane, kolumbiane apo ajo ekuadoriane, ku plumbat fillimisht preknin të pafajshmit, e më pas të fajshmit.

Rasti i Palit nuk është i vetmi. Mimoza Paja, 58-vjeçarja që u vra në Don Bosko, u përdor po ashtu si “mish për top” nga grupet kriminale. Hasmëria mes kriminelve i mori jetën një nëne, një gjysheje, e cila vijonte të punonte mes shumë vështirësish për të siguruar një rrogë mujore. Plumbat edhe këtë herë i lanë një mësazh pronarit të lokalit, por i morën jetën Mimozës, por rrezikuan edhe jetë të tjera të pafajshme.

Një tjetër rast që tronditi Shqipërinë, ishte vrasja e jetimit Musaen Zeneli. Ai punonte si kamarier në Velipojë kur u qëllua pas një konflikti të pronarëve të tij, me një tjetër familje. 20-vjeçari punonte për të siguruar të ardhurat e familjes, pasi i ati i kishte vdekur dhe duhet të kujdesej për nënën. Jetë të pafajshme që janë marrë barbarisht nga duart e të fortve që lëvizin me armë në brez.

Në fund policia pas çdo ngjarje gjen një makinë të djegur dhe armët e përdorura në krim. Po me jetët e pafajshme, çfarë ndodh? Duket se asgjë, apo janë thjesht numra statistikor në rregjistruat vjetor të Policisë së Shtetit. Kryeministri Rama u shpreh i pashqetësuar për lulzimin e bandave kriminale, duke u shprehur “kokat hëngshin”. Mirëpo nuk po hanë kokat e njëri-tjetrit, por të qytetarve të pafajshëm që jetojnë çdo ditë ndershmërisht.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit