Në një dosjen hetimore të SPAK është zbardhur një skemë e pastrimit të parave, ku dyshohet se rreth 600 mijë euro me burim të panjohur financiar janë qarkulluar përmes blerjes dhe rishitjes së një prone me sipërfaqe mbi 15 mijë metra katrorë në zonën e Sallmones, pranë Shijakut nga Raiffeisen Bank.
Sipas dokumenteve të administruara nga SPAK, në qendër të kësaj skeme ndodhet shoqëria “Kryon.83” sh.p.k., e cila gjatë vitit 2023 rezulton të ketë pasur detyrime ndaj furnitorëve në vlerën e 78.4 milionë lekëve, ndërsa nga verifikimi i librave të blerjeve rezulton se gjatë të njëjtit vit ka realizuar blerje me vlerë totale 156.8 milionë lekë.
Një nga transaksionet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me një kontratë të datës 13 shtator 2023, ku Raiffeisen Bank i shet shoqërisë “Kryon.83” një pasuri të llojit “arë”, me sipërfaqe 15.218 metra katrorë në Sallmone, kundrejt shumës prej 55 milionë lekësh.
Por ajo që SPAK e konsideron të dyshimtë është fakti se prona nuk qëndroi gjatë në pronësi të kompanisë.
Pas vetëm tre muajsh prona u rishit.
Sipas dosjes, më 28 dhjetor 2023, vetëm tre muaj pas blerjes, e njëjta pronë iu shit shoqërisë “Amar Logistic” sh.p.k., e përfaqësuar ligjërisht nga Edmond Shaba, për shumën 58 milionë lekë.
Megjithatë, hetimet tregojnë se pagesa nuk është kryer në mënyrën klasike të transfertës bankare.
Huatë pa interes dhe kompensimi i borxhit
Dokumentet e SPAK tregojnë se 56.5 milionë lekë nga çmimi i shitjes janë shlyer përmes kompensimit të një huaje që ishte dhënë më 11 shtator 2023, vetëm dy ditë përpara se “Kryon.83” të blinte tokën nga Raiffeisen Bank.
Ndërsa pjesa e mbetur prej 1.5 milionë lekësh ishte parashikuar të depozitohej në një llogari noteriale.
Në kontratën e administruar nga SPAK rezulton se “Amar Logistic” i kishte dhënë hua “Kryon.83” shumën prej 55 milionë lekësh, pa asnjë normë interesi dhe me afat kthimi gjashtë muaj, deri më 11 mars 2024.
Kontrata parashikonte gjithashtu se, në rast se huaja nuk shlyhej brenda afatit, prona në Sallmone do t’i kalonte automatikisht në pronësi huadhënësit.
Fondet dyshohet se kanë burim kriminal
Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga verifikimet e kryera rezulton se kjo hua ka shërbyer realisht për financimin e blerjes së tokës nga Raiffeisen Bank.
Hetuesit dyshojnë se fondet e përdorura kanë burim financiar të panjohur dhe se mund të rrjedhin nga veprimtari kriminale, ndërsa e gjithë skema është përdorur për të fshehur origjinën e parave përmes transaksioneve me pasuri të paluajtshme.
Në dosje përmendet edhe emri i Edmond Shabës, përfaqësues ligjor i “Amar Logistic”, i cili sipas SPAK konsiderohet person i lidhur me Fadil Ballën, aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas SPAK, këto transaksione janë pjesë e hetimit më të gjerë mbi skemat e dyshuara të pastrimit të produkteve të veprës penale përmes investimeve dhe shitblerjeve të pasurive të paluajtshme.
Në kuadër të operacionit kundër grupit të strukturuar kriminal që, sipas SPAK, drejtohet nga Luçiano Koçeku dhe Abedin Koçeku, janë lëshuar masa sigurie “arrest me burg” për vëllezërit Erjon Rama dhe Adrian Rama.
SPAK ka vendosur gjithashtu sekuestro mbi një sërë pasurish që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal, konkretisht:
- 7 vila në Palasë, të shitura nga Erjon dhe Adrian Rama, si dhe 1.626.000 euro të përfituara nga shitja e tyre, të bllokuara në llogaritë bankare të tyre.
- 9 llogari bankare në emër të Erjon Ramës.
- 21 llogari bankare në emër të Adrian (Ardian) Ramës.
- Një pronë në Sallmone, Shijak, si dhe 58 milionë lekë të përfituara nga shitja e saj, të sekuestruara në llogaritë e Adrian (Ardian) Ramës.
- 3 llogari bankare të kompanisë “Kryon.83”, në pronësi të Adrian Ramës.
- 2 vila në Rolling Hills në pronësi të Ardian Ramës.
- Një truall në Sarandë.
- 3 vila dhe 2 apartamente në Jalë.
- Kompania “Kryon.83”, me seli në Tiranë dhe Prishtinë, e cila është gjithashtu objekt i masave të sekuestrimit në kuadër të hetimit.