Grupi terrorist i Radoiçiçit bën takime në Kosovë, Kurti-ndërkombëtarëve: Serbia po kërcënon sigurinë

Grupi terrorist i Radoiçiçit bën takime në…

Situata në Veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar, ku konflikti i armatosur mund të shpërthejë nga momenti në moment.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar përmes një statusi në Facebook se në Veri është zhvilluar një riorganizim paramilitar e terrorist nga Millan Radoiçiç dhe grupi i tij.

“Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë. Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë”, shkruan Kurti.

Kryeministri i Kosovës nënvizon se qëllimi i këtij takimi ishte për zgjedhjet e pjesshme lokale të 17 dhjetorit që do të mbahen në Veri.

“Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq. Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore”, shton ai .

Gjithashtu ai i ka bërë thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe BE-së që të reagojnë për atë që ndodh në veriun e Kosovës. Ndërsa shton se as pas presionit ndërkombëtar Serbia nuk ka tërhequr trupat dhe se ajo vijon të cënojë sigurinë e Kosovës.

“KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit. Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, thuhet në postimin e Kurtit.

Po ashtu nuk mungoi thirrja për komunitetin ndërkombëtar, që sipas tij duhet të reagojë pasi Rusia përmes Serbisë kërkon që të krijojë një konflikt në kufinjtë e BE-së. Kurti thekson se duhet të vendosen sanksione për Serbinë, pasi kjo e fundit kërcënon sigurinë në rajonin e Ballkanit.

“Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit. Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës”, përfundon Kurti.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit