
Ndërsa Shqipëria po përjeton një bum turistik vitet e fundit, një ndër problematikat më serioze që mbetet e pazgjidhur është veprimtaria e udhërrëfyesve të huaj në territorin shqiptar pa bashkëpunim me guida lokale të licencuara, duke shkelur ligjin aktual për guidat turistike.
Sipas raportimeve të vazhdueshme nga terreni dhe shqetësimeve të ngritura nga komuniteti i udhërrëfyesve vendas, shumë grupe turistike nga vende si Kina, Turqia, Italia, Greqia, Polonia, Serbia e të tjera, vizitojnë qytete historike dhe site arkeologjike si Berati, Gjirokastra, Kruja, Apollonia, Butrinti, Bunk’Art, Thethi apo Valbona, pa praninë e një udhërrëfyesi lokal, ashtu siç e kërkon ligji shqiptar.
Ky ligj përcakton qartë që çdo grup i organizuar turistik, vendas apo i huaj, që viziton vende me status të mbrojtur kombëtar, historik apo UNESCO, duhet të shoqërohet nga një udhërrëfyes i licencuar lokal apo kombëtar. Mosrespektimi i kësaj dispozite sjell jo vetëm deformim të përvojës së turistëve, por edhe shtrembërim të historisë, kulturës dhe identitetit të vendit.
“Ka ndodhur jo pak herë që guida të huaja të japin versione të shtrembëruara të historisë sonë, duke përhapur narrativë që na paraqet si turq, grekë, serbë apo polakë, në varësi të vendit të origjinës së grupit. Kjo është e papranueshme dhe dëmton drejtpërdrejt imazhin tonë kombëtar”, – shprehen disa guida shqiptare.
Ndër rastet më të konstatuara përmenden vizitat turistike në Krujë, Bunk’Art, Katedralen Ortodokse në Tiranë, pazarin e Gjirokastrës dhe në zonat malore të veriut, ku grupe të tëra turistësh operojnë pa guidë lokale, të udhëhequra vetëm nga “tour leader” të huaj.
Kjo çështje është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga NATGA (Shoqata Kombëtare e Udhërrëfyesve Turistikë) dhe profesionistë të fushës, por institucionet përgjegjëse – Ministria e Turizmit, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe strukturat e kontrollit – kanë qëndruar në heshtje, duke mos marrë asnjë masë konkrete.
“Ligji ekziston, por askush nuk e zbaton. Në shumë vende të BE-së, një guidë e huaj nuk mund të flasë në një site pa një licencë vendase, ndërsa në Shqipëri veprojnë pa asnjë pengesë”, – thotë një udhërrëfyes nga Berati.
Udhërrëfyesit shqiptarë kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e institucioneve për të kontrolluar dhe ndaluar këtë praktikë, duke u bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë ligjin ekzistues, të vendosin gjoba dhe të detyrojnë çdo grup të angazhojë udhërrëfyes vendas në terren.
Në një kohë kur turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, mbrojtja e identitetit historik dhe profesionalizmi në prezantimin e vendit nuk duhet të mbetet çështje dytësore.