Gurorja ku ndërroi jetë Jurgen Veshi ishte pa leje, Inspektorati i Punës: S'e kemi kontrolluar

Gurorja ku ndërroi jetë Jurgen Veshi ishte…

Ashtu siç e kemi raportuar edhe më parë, Inspektorati i Punës paguhet kot nga taksat e shqiptarëve pasi nuk ushtron detyrën e tij për të inspektuar kushtet e punës në subjektet që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri.

Rasti konkret është gurorja e fshatit Brataj në Selenicë, e cila ushtronte aktivitetin e saj pa marrë leje nga institucionet. Dy ditë më parë në 21 maj në këtë gurore humbi jetën 24-vjeçari Jugren Veshi, i cili u godit nga një masiv gurësh teksa po punonte me skrep.

Ngjarja e rëndë zbuloi dhe skandalin e kompanisë ‘Brataj Stone 22’ që ushtron aktivitetit e gurores. Marsela Selmanaj me detyrë përgjegjëse e Inspektoratit të Punës në Vlorë, teksa është pyetur për këtë subjekt ka pranuar se ai nuk është inspektuar asnjëherë, dhe ushtronte aktivitetin pa leje.

“Ky subjekt nuk ka bërë kërkesë në e-albania për leje pune para vendosjes në punë të kantierit. Ka nisur punimet pa vënë në dijeni. Janë veprimtari me rrezikshmëri të lartë”, thotë Marsela.

Ajo ia lë fajin e mosinspektimit numrit të ulët të inspektorëve që janë në Vlorë, të cilët nuk mund të kontrollojnë të gjithë bizneset e zonës të cilët janë rreth 6 mijë.

“Lihen detyra, por numri i inspektorëve është i ulët. Vlora ka 3 inspektorë gjithsej. Numri i subjekteve është i lartë, ka  5-6 mijë subjekte, dhe një inspektor ka 12 subjekte ne plan pune, pra 36 subjekte mund të kontrollojnë gjithsej. Problematikat janë kudo janë në ndërtim, tregti e prodhim”, tha Marsela Selmanaj më tej.

Për ngjarjen e rëndë të gurores policia arrestoi vetëm drejtuesin teknik Erald Breganaku, me akuzën e moszbatimit të rregullave të mbrojtjes në punë. Familjarët e Jurgen Veshit kërkojnë drejtësi për ngjarjen që u ndodhi!

Numri i lartë i subjekteve që ushtrojnë aktivitet rrit nevojën për më shumë kontrolle nga institucionet përgjegjëse (Inspektorati i Punës), qoftë për masat e sigurisë që në të ardhmen mos të ketë raste të ngjashme, qoftë për kushtet në të cilat punojnë punëtorët.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit