Gusht 1989, kur Nënë Tereza vizitoi për herë të parë atdheun e saj

Gusht 1989, kur Nënë Tereza vizitoi për…

Një anashkalim plot finesë, Nënë Tereza: Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje.

Nga Adi Darsi-Mapo.al

Pas disa refuzimesh për dhënie vize hyrjeje në Shqipëri dekada më parë, për të marrë pjesë në ngjarjet e hidhura të familjes së saj që jetonte në Shqipëri, Nënë Tereza nuk i ndërpreu asnjëherë përpjekjet për të vizituar atdheun e saj, varret e nënës dhe motrës në ceremonitë mortore të të cilave nuk ishte lejuar të merrte pjesë.

Brenda kornizës së një hapjeje të kontrolluar të Shqipërisë në marrëdhëniet me jashtë pas vitit 1985, në kuadrin e përgjithshëm të një “ere të re” në marrëdhëniet ndërkombëtare për të zbutur tensionet midis blloqeve, vizita e saj e parë në atdhe u mundësua në gusht 1989.

Dëshira e saj u përcoll në mënyrë formale pranë ambasadës shqiptare në Romë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë, në maj 1989, si dëshirë “ …për të puthur tokën shqiptare përpara se të vdesë”.

Strukturat shtetërore të kohës e panë këtë vizitë edhe si një mundësi të mirë për t’u përdorur politikisht si argument i respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.”..

Përpos të tjerave, kjo do t’u japë dorë gjithashtu miqve të vendit tonë të na mbrojnë me argumenta në organizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, në të cilat nuk merr pjesë vendi ynë”.

Pas miratimit të dhënë nga MPJ për këtë vizitë, Nënë Tereza zhvilloi takimin e saj të parë në ambasadën shqiptare në Romë më 7 korrik 1989, e cila më pas kreu të gjitha modalitetet teknike të vizitës së saj në Shqipëri.

Nënë Tereza do të shoqërohej në këtë vizitë të parë në Shqipëri nga prodhuesja e kinematografisë Jeanette Petrie, me origjinë nga Kanadaja, banuese në New York, e cila e kishte shoqëruar Nënë Terezën në çdo vizitë.

Vizita u realizua në 14-17 gusht 1989. Pavarësisht se ishte një vizitë private, gjatë saj Nënë Tereza u takua me drejtues të lartë të shtetit shqiptar të asaj kohe dhe shprehu dëshirën që të sillte në Shqipëri motrat e saj të Misionit të Bamirësisë për të dhënë pasuri shpirtërore e kujdes te të moshuarit dhe të vetmuarit.

Kjo kërkesë u refuzua me argumentin se këtë mision e kryenin falas strukturat shtetërore të arsimit dhe përkujdesjes në Shqipëri.

Në intervistën e dhënë për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do i përgjigjej “Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”.

Pas largimit nga Shqipëria Nënë Tereza iu drejtua me një letër presidentit Alia për të lejuar hapjen e një shtëpie në Tiranë për Misionaret e saj të Bamirësisë. Përgjigjja vonoi gjatë.

Gazetarja Jeanette Petrie e dy motrat e Nënë Terezës qëndruan në Romë në pritje të përgjigjes që do të vinte nga Tirana zyrtare. Ato shkonin vazhdimisht në ambasadën tonë në Romë për t’u interesuar për hapjen e Misionit të Bamirësisë në Tiranë.

Në prill 1990 në ambasadën shqiptare mbërriti edhe Nënë Tereza e cila interesohej nëse kishte përgjigje për kërkesën e saj për të dërguar Motrat misionare në Shqipëri, por ndeshej me të njëjtët argumenta.

Në maj 1990 Nënë Tereza e Motrat e saj mbërritën në Rumani për të hapur atje Shtëpitë e Bamirësisë. Gjatë qëndrimit, nëpërmjet ambasadorit indian ajo kërkoi takim me ambasadorin shqiptar në Bukuresht për të marrë informacion rreth letrës që ajo i kishte drejtuar presidentit Alia në shtator 1989, por takimi nuk dha rezultat.

Në Bashkimin Sovjetik, pas ngjarjeve të Çernobilit, Misioni i Bamirësisë së Nënë Terezës kishte arritur një marrëveshje me qeverinë sovjetike në dhjetor 1988 dhe kishin çelur atje 6 Shtëpi Bamirësie për viktimat e katastrofës dhe iu ishte premtuar hapja edhe e 7 të tjerave. Në Rumani kishin dy Shtëpi të tilla.

Në 1990 do hapnin një të tillë në Shangai. Në Kubë ishin hapur katër të tilla. Misionaret e Nënë Terezës po shtrinin prezencën dhe kontributin e tyre në të gjithë Evropën Lindore. Vizitat e Misionareve të Nënë Terezës që prisnin në Romë, por edhe të vetë Nënë Terezës vazhduan në ambasadën shqiptare në Romë edhe në muajt në vijim për të marrë një përgjigje nga pala shqiptare.

Pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Haver Perez de Kuelar në Shqipëri në maj 1990 dhe ngjarjeve të korrikut në 1990, në tetor 1990 Alia përgjigjet se së shpejti do kishte një përgjigje pozitive për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri.

Po në tetor 1990, në Tiranë kopshtit të fëmijëve që u vizitua nga Nënë Tereza gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri i vihet emri i nobelistes për paqe “Kopshti Nënë Tereza”.

Në këtë periudhë pati zhvillime të reja politike në Shqipëri dhe po flitej zyrtarisht për lirinë e praktikimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare.

Këto rrethana lehtësonin edhe hapjen e Misionit të Nënë Terezës në Shqipëri. Përgjigjja nga shteti shqiptar vjen në nëntor 1990 sipas të cilës Nënë Tereza ishte e mirëpritur për një vizitë të dytë në Shqipëri, ndërsa për aktivitetin e Motrave të saj Misionare të Bamirësisë në Shqipëri duhej të ndryshonte në fillim legjislacioni ekzistues shqiptar që të lejonte këtë veprimtari.

Vizita e dytë u zhvillua 1-5 dhjetor 1990. Gjatë vizitës asaj iu premtua se hapja e Shtëpive për Misionaret e saj të Bamirësisë do të mundësohej në 4 mars 1991, kohë kur do kishin përfunduar edhe ndryshimet në legjislacionin e shtetit shqiptar.

Kërkesa nga arbëreshët
Më 5 qershor 1989 në Ministrinë e Jashtme shqiptare vjen një letër nga ambasada e Romës, ku ambasadori Dashnor Dervishi njofton për kërkesën e marrë për një vizitë të Nënë Terezës në Shqipëri. Bashkëngjitur letrës ka edhe një sërë materialesh për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës. Në letrën drejtuar ministrit Reis Malile ndër të tjera thuhej:

“Bashkëngjitur, po ju përcjell një letër që më drejton prof. Giuseppe del Gaudio, arbëresh nga Catanzaro, mik i vendit tonë, i cili parashtron dy kërkesa:

1- Me ftesë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të vijnë në vendin tonë për një vizitë miqësore, gjatë muajit gusht, 20 vetë që marrin pjesë në Këshillin Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve Arbëreshë, me makinën e tyre.

2- Shprehet dëshira e Madre Tereza, për të bërë një vizitë private në Shqipëri, “për të puthur tokën shqiptare përpara se të vdesë…” e shoqëruar nga vete Giusepe del Gaudio dhe miku e shoqëruesi i saj, Gjergj Gjergji Gashi”.

Pas parashtrimit të këtyre kërkesave bëhet edhe një përshkrim specifikisht për Nënë Terezën. “Dëshira e Madre Tereza për të bërë këtë vizitë në Shqipëri na ka dalë edhe herë të tjera nëpërmjet njohjeve tona në rrethet arbëreshe.

Sipas tyre: Madre Tereza, gjatë gjithë veprimtarisë së saj asnjëherë nuk është shprehur kundër politikës dhe sistemit tonë në fuqi, përkundrazi, vazhdimisht ajo përmend me mburrje faktin që është nga Shqipëria; ka kontribuar në mënyrë aktive, moralisht e materialisht në mbështetje të çështjes së Kosovës”.

Po ashtu, jepet mendimi se vizita duhej lejuar sepse “vizita e saj në Shqipëri do të shërbente si barrierë ndaj ndonjë fushate të mundshme propangadistike kundër të drejtave të njeriut në Shqipëri, që mund të shfrytëzohet në dëm të vendit tonë, sidomos mbas vdekjes së saj për mosplotësimin e kësaj dëshire.

Prapaskenat komuniste
Pas kësaj letre regjimi i kohës vendos të lejojë vizitën dhe në një informacion të Drejtorisë së Parë në Ministrinë e Jashtme, pasi bëhet një përshkrim i materialeve të marra nga ambasada në Romë dhe i jetës e veprimtarisë së Nënë Terezës, ku mes të tjerash përmendet që ajo ishte edhe fituese e Çmimit “Nobel” në vitin 1979, shkruhet se “Lejimi i Nënë Terezës për të ardhur në vendin tonë, në kushtet kur çështja e respektimit të të drejtave të njeriut është sot në rend të ditës dhe ka tendencë të vijë duke u rritur dhe më shumë, do të ishte një argument i fortë në dorën tonë për t’iu kundërvënë me fakte sulmeve e presioneve që na bëhen nga qarqe e organizma të ndryshëm armiqësorë.

Ardhja e saj në vendin tonë, padyshim që nuk do kalojë pa bujë, dhe në këtë kuadër indirekt do bien poshtë dhe shumë nga pretendimet e shpifjet se në vendin tonë besimtarët e klerikët persekutohen e vriten.

Përpos kësaj, kjo do t’u japë dorë gjithashtu miqve të vendit tonë të na mbrojnë me argumenta në organizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, në të cilat nuk merr pjesë vendi ynë.

Efekt pozitiv, mendojmë se do të ketë dhe te shumë miq e dashamirës të vendit tonë, të cilët kanë simpati për Shqipërinë, pavarësisht nga qëndrimi ynë ndaj fesë…

Ardhja e saj në Shqipëri mund të shfrytëzohet nga ana jonë për t’i treguar asaj realitetin e vërtetë të vendit tonë, paqen e qetësinë në të cilën jeton populli ynë…

Në rast se do të bëhet vizita e saj, pa publicitet nga ana jonë, mendojmë t’i organizohet një program i shkurtër vizitash në qendra kulturore, shëndetësore e historike (duhet pasur parasysh se ajo ka mbaruar studimet për histori-gjeografi) dhe të shoqërohet nga një shkrimtar ose studiues që të zhvillojë biseda e të japë shpjegime të dobishme.

Paraprakisht, organet kompetente të hetojnë për shtëpinë, njerëzit e saj të afërm në Shqipëri, nëse ka, qëndrimin e tyre…” Ky material i hartuar më 17 qershor 1989 është parapërgatitja e lejimit të vizitës së Nënë Terezës e cila ka qenë plotësisht e kontrolluar dhe e planifikuar siç edhe tregohet në programin e vizitës së saj, në të cilën ajo është shoqëruar edhe nga prodhuesja e kinematografisë, “Jeanete Petrie me origjinë nga Kanadaja e banuese në New Jork”.

Vizita katërditore
Vizita e Nënë Terezës në Shqipëri do jetë zgjasë katër ditë, nga pasditja e së hënës së 14 gushtit 1989 deri në pasditen e së enjtes së 17 gushtit. Gjithçka ka qenë kontrolluar mbi bazën e një programi të parapërgatitur deri në detajet më të imta dhe të miratuar që më 12 gusht 1989.

Kështu bazuar në këtë dokument Nënë Tereza mbërrin në Rinas të hënën e 14 gushtit 1989, në orën 15.10 ku “Dalin për ta pritur shokët Ciril Pistoli, Jorgo Melica, Marie Kraja, Adelina Mazreku, Iliriana Shehu dhe Natasha Hito” që e presin me buqeta lulesh dhe nga aty “Shkojnë direkt në Tiranë, ku vendosen në Vilën Nr.2”. Në orën 18 të asaj dite ishte programuar “Vizitë në varreza, në varrin e nënës dhe të motrës.

Shoqërojnë Marie Kraja, Adelina Mazreku, Diana Kristo dhe Natasha Hito (përkthyese), Iliriana Shehu (mjeke). Paraditen e së nesërmes ishin planifikuar “Vizitë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, vizitë në shtëpinë ku ka banuar nëna dhe motra, vizitë në kopshtin e Fëmijëve nr. 40 dhe vizitë në shtëpinë e Marie Krajës.

Të mërkurën më 16 gusht programi është më i ngjeshur, dhe shënon kulmin e vizitës. Në të përfshihen vizitë në Institutin e Onkologjisë, ku pritet nga Adelina Mazreku, vizitë dhe takim ne shtëpinë e Nexhmije Hoxhës ku edhe qëndrojnë për drekë së bashku me Adelina Mazrekun e Marie Krajën.

Pasditen e 16 gushtit Nënë Terezën e pret ministri i Punëve të Jashtme, Reis Malile (Pritja bëhet në sallën e Pallatit të Kongreseve), ku pas një fjalimi të Jorgo Melicës shfaqet filmi “Nënë Tereza”. Aty ishte planifikuar të merrnin pjesë Reis Malile, Ahmet Kamberi, Ajet Ylli, Ismail Kadare dhe Ciril Pistoli.

Ditën e fundit të vizitës më 17 gusht Nënë Tereza viziton Institutin e Pneumonologjisë dhe më pas shkon në Durrës ku viziton Shtëpinë e Pionierëve, dhe pas drekës në Hotel Adriatiku ajo përcillet në Rinas nga të njëjtët persona që e kishin pritur.

Por pjesa më interesante e programit të miratuar janë shënimet në fund të tij ku specifikohen disa detaje domethënëse: “Kudo shoqërohet nga Adelina Mazreku (të ketë përkthyes në anglisht për Nënë Terezën dhe gazetaren).

Trajtohet nga Drejtoria e Pritjes. Vihen në dispozicion një veturë “Benz” dhe një “Pezho”. Në të gjitha lëvizjet do të shoqërohet nga një veturë e sigurimit si dhe një veturë e policisë.

Në të gjitha veprimtaritë do të shoqërohet nga operatori i Televizionit, dhe fotoreporteri ATSH-së. Do të jepen këto lajme: Mbërritja, vizitat, takimet, largimi”.

Letra dhe një kërkesë për Ramiz Alinë


“I dashur Zoti President i vendit tonë të dashur Shqipërisë.

Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim, pas kaq vizitash kudo në botë, më në fund i miri Zot më dha këtë dhuratë të bukur të vij dhe të shoh popullin tim. Njerëzit e familjes sime kanë jetuar këtu për shumë vjet dhe këtu vdiqën. Dhe unë pata mundësinë të vizitoj varret e tyre.

Meqenëse motrat e mia Misionaret e Bamirësisë ndodhen në shumë vende kam patur dëshirën që t’i sjell ato edhe këtu – të paktën katër prej tyre – për t’u dhënë ngrohtësi dashuri dhe kujdes pleqve, të vetmuarve, atyre që u mungon dashuria, të sëmurëve me të meta mendore, të gjithë atyre që kanë nevojë për dashuri dhe kujdes, sepse ata janë njerëzit tanë.

Prandaj kini mirësinë të më lejoni të sjell motrat o mia këtu. Kjo e jona nuk është çështje biznesi, as politike. Unë nuk kam as ar o as argjend, por juve do t’ju jap motrat dhe shpresoj që së bashku të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe popullin tonë.

Mirënjohja ime për ju është lutja ime për ju dhe për popullin tuaj që i shërbeni.

Zoti ju bekoftë! Nënë Tereza”

Një intervistë e sforcuar

Pjesë e dosjes së asaj vizite të parë të Nënë Terezës në Shqipëri është edhe intervista e saj e zbardhur, dhënë për televizionin shqiptar.

“Pyetja e parë: Jeni e mirënjohur për veprimtarinë tuaj bamirëse. Diçka për telespektatorët në lidhje me veprimin tuaj në dobi të njerëzve të vobektë, të varfër, të uritur në vende të ndryshme të botës.

Përgjigjja: Kongregacioni ynë iu është kushtuar më të varfërve nga të varfrit. Kemi qendra në të gjithë botën, në 80 vende, ku motrat dhe vëllezërit përpiqen t’u japin dashuri dhe kujdes më të varfërve nga të varfrit, njerëzve që s’kanë asgjë, që s’kanë askënd, që janë të sëmurë, që vdesin, sakatëve, të sëmurëve mendorë, të droguarve, të alkoolizuarve, kujtdo që është dhimbja e shoqërisë. Shumëkush për të cilin s’ka se kush të kujdeset e ta dojë ne përpiqemi t’i japim dashurinë e ngrohtësinë që i mungon. Ne kujdesemi që secilit njeriu të birit të Zotit pa dallim kombësie race e feje, t’i japim me gjithë zemër ndihmë pa interes e pa shpërblim.

Pyetja e dytë: Nënë Tereza ju jeni shqiptare, vini për vizitë në vendin tuaj. Ç’emocione ju ngjall kjo vizitë e parë.

Përgjigje: Nuk kam qenë më parë në Shqipëri ku kanë jetuar e punuar nëna, motra e vëllai. Gjithashtu, nuk kam patur mundësi të vija kur ata ishin gjallë, por tani m’u bë si një dhuratë e bukur mundësia për të ardhur e për të vizituar varret e nënës e të motrës. U gëzova shumë kur pashë sa bukur e sa shumë kujdes është treguar. I jam shumë mirënjohëse Maries, e cila i ka kushtuar kujdes e dashuri familjes time. Vizitova edhe vendin ku ato kanë jetuar, gjë që më kënaqi shumë. Do të desha t’i shikoja sa ishin gjallë, por për 60 vjet kam qenë në Indi dhe s’pata mundësi. Por jam e sigurt se një ditë kur të shkoj në parajsë, do të kem mundësi t’i takoj të gjithë bashkë”.

Pjesa më interesante e dokumentit ku zbardhet intervista, është shënimi ku thuhet: Për pyetjen lidhur me përshtypjet nga vizita në Shqipëri tha se: “Nuk kam ditur më parë se ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit