Komisariati nr. 5 vijon hetimet për zbardhjen e grabitjes së argjendarisë “Luani” në Paskuqan, ku autorët morën sende floriri me vlerë mbi 1.5 milionë lekë. Sipas burimeve hetimore, dy personat e maskuar kanë ndjekur një itinerar të njëjtë si para, ashtu edhe pas grabitjes, duke përdorur rrugica periferike të Kamzës dhe duke shmangur akset kryesore.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit dyshojnë se autorët e njohin mirë zonën dhe kanë planifikuar me kujdes lëvizjet e tyre. Dyshohet gjithashtu se njëri prej tyre mund të ketë hyrë më herët në argjendari si klient, pasi grabitësit kishin dijeni të saktë për vendndodhjen e bizhuterive me vlerë.
Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që në ngjarje të kenë pasur edhe persona të tjerë të përfshirë si bashkëpunëtorë. Ndërkohë, policia ka sqaruar se autorët nuk lidhen me grabitjen e 16 majit në një tjetër argjendari në Kamëz, pasi personat e dyshuar për atë ngjarje ndodhen tashmë të arrestuar.