Hakerat sulmojnë supermarketet në Suedi, frigoriferët arrijnë deri në 50 gradë Celsius

Hakerat sulmojnë supermarketet në Suedi, frigoriferët arrijnë…

Një sulm kibernetik ka shkaktuar një incident të pazakontë në disa supermarkete në Suedi, ku sistemet e ftohjes dhe ngrirjes janë vënë në shënjestër të hakerave. Si pasojë, temperaturat në frigoriferët e disa dyqaneve janë rritur ndjeshëm gjatë natës së të dielës, duke arritur deri në 50 gradë Celsius. Rrjeti i supermarketeve ICA konfirmoi për agjencinë Reuters se një numër i kufizuar dyqanesh ishte prekur nga incidenti, ndërsa edhe rrjeti Coop raportoi se gjashtë prej pikave të tij ishin goditur nga sulmi.

 

Sipas raportimeve, sulmi ka shkaktuar probleme serioze në funksionimin e pajisjeve frigoriferike, duke ngritur shqetësime për sigurinë e produkteve ushqimore dhe mbrojtjen e sistemeve teknologjike që kontrollojnë pajisjet industriale. Një supermarket suedez njoftoi përmes rrjeteve sociale se frigoriferët dhe ngrirësit e tij kishin arritur temperatura të pazakonta, ndërsa autoritetet dhe kompanitë po përpiqen të zbardhin përmasat e incidentit.

 

Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Francë gjatë muajit tetor, ku hakerat dyshohet se morën kontrollin e sistemeve frigoriferike në qindra supermarkete. Sipas raportimeve, sulmi shkaktoi dëmtimin e sasive të mëdha të ushqimeve dhe madje edhe shpërthimin e disa zjarreve. Ngjarjet e fundit kanë rikthyer vëmendjen te rreziqet që sulmet kibernetike paraqesin jo vetëm për sistemet informatike, por edhe për funksionimin e shërbimeve dhe infrastrukturave të përditshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit